Ballina Aktualitet Kupi: Është lidhur kontrata për ndërtimin e burgut të ri në Lezhë,...

Kupi: Është lidhur kontrata për ndërtimin e burgut të ri në Lezhë, kapacitet 1000 shtretër

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, bëri me dije në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale se është lidhur kontrata për ndërtimin e burgut të Lezhës, i cili do t’u dedikohet personave me probleme të shëndetit mendor.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Kupi u ndal te trajtimi i personave të dënuar me probleme të shëndetit mendor, duke theksuar nevojën për trajtim të specializuar dhe të vazhdueshëm për personat ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e mjekimit të detyruar.

“Personat me probleme të çrregullimit mendor, për të cilët gjykata ka caktuar mjekim të detyruar, kanë nevojë për trajtim të specializuar dhe të vazhdueshëm, prandaj duhet të ketë një ndarje më të qartë mes funksionimit penitenciar dhe atij shëndetësor”, deklaroi ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u ndal edhe te nisja e punimeve për ndërtimin e burgut të ri në Lezhë, i dedikuar për personat me probleme të shëndetit mendor.

Kupi informoi se projekti për ndërtimin e këtij institucioni do të realizohet në tri faza, ndërsa kontrata për fazën e parë është lidhur.

Sipas tij, investimi për ndërtimin e godinës dhe pajisjen e institucionit parashikohet të jetë rreth 8 milionë euro, ndërsa struktura e re do të ketë një kapacitet prej 1000 shtretërish.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks