Kryeministri Edi Rama ka përsëritur këtë të diel ftesën për dialog me protestuesit, përmes platformës së re online “FolmeKM.al”, të cilën e prezantoi të premten, më 6 nëntor.
Këtë herë, kreu i qeverisë nuk i është drejtuar protestuesve përmes “sofrës” së vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, por ka ndarë në rrjetet sociale linkun e platformës, duke i ftuar qytetarët të përdorin këtë hapësirë për të komunikuar me të.
“Mirëmëngjes dhe me pasqyrën e Dialogut në telefonin apo kompjuterin tuaj, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama në postimin e tij.
Platforma “FolmeKM.al” u prezantua më 6 nëntor si një dritare online komunikimi, fillimisht e dedikuar për studentët, por e hapur edhe për qytetarët e tjerë. Nisma vjen në një kohë kur kërkesat për një takim të drejtpërdrejtë me kryeministrin janë refuzuar njëra pas tjetrës.
Gjatë prezantimit, Rama e cilësoi platformën si një urë komunikimi të hapur 24 orë, përmes së cilës qytetarët mund të përcjellin mendimet dhe shqetësimet e tyre.
“Faqja është gati. Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, në një kohë kur vijmë nga një sërë protestash, dhune, presion për të penguar dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale dhe e hapur 24 orë. Një urë që një skuadër e dedikuar do të garantojë qarkullimin e opinioneve që shkëmbehen”, deklaroi Rama më 6 nëntor.
Në përshkrimin e platformës thuhet se ajo është “një hapësirë e re sociale për komunikim të drejtpërdrejtë me Kryeministrin”, ku kushdo mund të bëjë një pyetje, të shprehë një kritikë, të ngrejë një shqetësim apo të paraqesë një propozim.






