Ballina Politike Data e zgjedhjeve lokale dhe Reforma territoriale: Mazhoranca këmbëngul për 46 bashki,...

Data e zgjedhjeve lokale dhe Reforma territoriale: Mazhoranca këmbëngul për 46 bashki, drafti pritet të votohet në tetor. Ramës i duhen votat e PSD-së Tom Doshit!

Mazhoranca socialiste pritet të vijojë me projektin për reformën e re territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Nisma ka shkaktuar kundërshtime në disa zona të vendit, përfshirë edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste, ndërsa disa drejtues vendorë dhe qytetarë kanë shprehur shqetësime për bashkitë që parashikohet të shkrihen ose të bashkohen.

Sipas raportimeve të bëra, kryeministri Edi Rama ka kritikuar drejtuesit politikë të PS-së për mënyrën se si është menaxhuar komunikimi me qytetarët dhe strukturat vendore lidhur me reformën. Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se, pavarësisht kundërshtimeve, nuk ka një tërheqje nga projekti. Drafti parashikon një organizim territorial me 46 bashki, 71 qytete dhe 385 njësi administrative, nga 61 bashki që funksionojnë aktualisht.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga drejtuesit vendorë lidhet me mungesën e transparencës për bashkitë që do të preken nga riorganizimi. Kryetarja e Bashkisë Dimal ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se bashkia që drejton do të përfshihej në një bashkim me Beratin. Kundërshtime janë shfaqur edhe nga drejtues të majtë në zona të ndryshme, ndërsa qëndrimi i mazhorancës mbetet se reforma do të vijojë sipas projektit të hartuar nga qeveria.

Kryetarët që preken nga reforma

Një tjetër çështje që pritet të ketë ndikim politik lidhet me fatin e kryetarëve aktualë të bashkive që do të shkrihen. Sipas raportimit, drejtuesit vendorë që preken nga riorganizimi nuk do të kenë më njësi administrative për të cilat të garojnë në zgjedhjet e vitit 2027. Mazhoranca synon që reforma të shoqërohet me një fushatë më të gjerë informimi nga drejtuesit politikë të PS-së, deputetët dhe kryetarët e bashkive, me qëllim shpjegimin e ndryshimeve që sjell ndarja e re territoriale.

Drafti në Kuvend, votimi pritet në tetor

Projektligji për reformën territoriale është depozituar në Kuvend në ditët e fundit të sesionit parlamentar. Sipas planit të mazhorancës, bashkitë dhe këshillat bashkiakë do të kenë një afat prej 60 ditësh për të dhënë opinionet e tyre.

Pas përfundimit të konsultimeve, drafti pritet të diskutohet në komisionet parlamentare gjatë muajit shtator, ndërsa objektivi i mazhorancës është miratimi në Kuvend në fillim të tetorit.

Për miratimin e reformës kërkohen 84 vota, çka nënkupton se Partia Socialiste nuk i siguron e vetme votat e nevojshme dhe do të ketë nevojë për mbështetje nga deputetë jashtë grupit të saj parlamentar. Ketu në lojë hyn PSD e Tom Doshit me 3 mandatet e saj në Kuvend. Vota që Ramës i duhen me patjetër raporton newspower.al.

Reforma para dekretimit të zgjedhjeve lokale

Miratimi i reformës territoriale shihet gjithashtu si një proces që duhet të përfundojë përpara dekretimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore nga Presidenti i Republikës. Referuar deklarimeve publike të përfaqësuesve socialistë, zgjedhjet lokale të vitit 2027 pritet të zhvillohen në muajin maj. Në skenarin e përmendur deri tani, datat e mundshme janë 2 ose 9 maj 2027.

Në këtë mënyrë, mazhoranca synon të përmbyllë reformën territoriale përpara hyrjes në fazën zyrtare të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme lokale, ndërsa debati politik dhe institucional pritet të intensifikohet gjatë muajve në vijim./ newspower.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks