Bashkia Lezhë është renditur në vendin e parë në shkallë vendi për realizimin e investimeve publike gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Bashkia Lezhë ka realizuar 76% të investimeve publike, një tregues që e rendit atë në krye të bashkive të vendit për këtë periudhë.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, e ka konsideruar këtë rezultat një dëshmi të punës së administratës vendore dhe të menaxhimit të financave publike me fokus te realizimi i projekteve dhe investimeve në territor.
Ky nivel realizimi, sipas Bashkisë Lezhë, tregon përkushtimin për përmbushjen e objektivave të përcaktuara dhe për kthimin e fondeve publike në investime konkrete në shërbim të qytetarëve.
“Rezultatet na motivojnë të bëjmë edhe më shumë”, është shprehur Ndreu, duke theksuar se puna do të vijojë me të njëjtin fokus për zhvillimin e Lezhës dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Renditja në vendin e parë për realizimin e investimeve publike për 6-mujorin e parë të vitit 2026 vjen si një tregues i ritmit të investimeve të Bashkisë Lezhë gjatë këtij viti.






