Administrata Tatimore ka nisur procesin e kompensimit për operatorët e transportit publik që kanë aplikuar në kuadër të skemës së mbështetjes për rritjen e çmimit të karburantit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se procesi i aplikimit për kompensim përfundoi më 1 gusht, ndërsa aktualisht po kryhet kompensimi për 95 subjekte të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës.
Vlera totale e kompensimit për këto subjekte arrin në 110,7 milionë lekë.
Sipas Tatimeve, kjo shumë nuk përfshin shoqëritë që operojnë në linjat qytetëse të Tiranës, për të cilat kompensimi mbulohet nga Bashkia e Tiranës.
Për këto linja, pranë Administratës Tatimore kanë aplikuar 20 subjekte, me një vlerë totale kompensimi prej 66,1 milionë lekësh.
Në total, skema e kompensimit për operatorët e transportit publik synon të zbusë ndikimin e rritjes së kostove të karburantit dhe të mbështesë vijimin e shërbimit të transportit për qytetarët.






