Këshilltari bashkiak i Shkodrës, Imeld Sokoli, ka reaguar lidhur me situatën e rënduar të qarkullimit në qytet, duke e cilësuar trafikun si një problem të parashikueshëm dhe që, sipas tij, kërkon masa të koordinuara nga Bashkia Shkodër. Në një reagim publik, Sokoli thekson se fluksi i lartë i automjeteve gjatë kësaj periudhe nuk është i vetmi shkak i kaosit në rrugët e qytetit. Sipas tij, mungesa e masave paraprake dhe e një menaxhimi të koordinuar të situatave të pikut e përkeqëson ndjeshëm trafikun.
Statusi i plote:
Në emër të kaosit të qarkullimit në Shkodër…
Në fakt kaosi i krijuar i qarkullimit nuk vjen vetëm prej numrit të lartë të makinave në Shkodër këtë periudhë, por vjen edhe si pasojë e paaftësisë për të ndërmarrë veprime të koordinuara në këto situata. Tashmë problemet e trafikut në Shkodër janë bërë të parashikueshme dhe kjo do të duhej të sjellte masa paraprake të ndrëmarrura në mënyrë të koordinuar të bashkisë, masa të cilat do të duhej të ishin të parashikuara edhe në planin e mobilitetit si masa protokollare emergjente në raste fluksi siç po ndodh çdo vit në Shkodër.
Përveç dështimit të mbarimit në kohë të Urës së Bahçallekut mbi lumin Drin që e ashpërson por nuk e zgjidh problemin e trafikut (unë kam dyshimet e mija që do jetë gati edhe për vërën e vitit që vjen duke parë ritmin e ulët të punimeve aq më tepër në kushtet hidrologjike të Lumit Drin), Bashkia Shkodër dështon me sukses në ndrëmarrjen edhe të masave më të thjeshta siç janë modelet e orientimit të trafikut apo ndryshimin e shpeshtë të senseve të lëvizjes (rasti i fundit i rrugës tek Ura Dervish Beg, rrugës së Gjuhadolit apo rrugës Ludovik Saraçi) pa pasur asnjë justifikim teknik – veprime që normalisht do të duhej të kaloheshin në Këshillin Bashkiak.
Më pas vjen bllokimi për aktivitete kulturore të akseve të rëndësishme rrugore në qytet, të cilat e ashpërsojnë akoma më shumë problemin e qarkullimit i kalojnë edhe në black-out disa zona të qytetit.
Në përfundim kemi trafik të shtuar jo vetëm nga numri i lartë i makinave që qarkullojnë, por edhe nga këto ndryshime të qarkullimit pa lajmerime që në fakt tregojnë paaftësi në menaxhimin e momenteve të pikut dhe janë pikërisht e kundërta e asaj që thotë Plani i Mobilitetit, i cili në fakt nuk po zbatohet në asnjë pikë të tij.
Me poshtë disa skanime të situatave të caktuara të trafikut në Shkodër






