Plot 1,689 parcela ose stacione plazhi do të jenë me funksion dhe administrim publik në vitin 2026, ose 675 më shumë krahasuar me vitin 2025. Këtë e bëri të ditur të martën ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, i cili thotë se numri i plazheve publike do të rritet me 67%, ndërsa do të zgjerohet edhe sipërfaqja në dispozicion të pushuesve. Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se sipërfaqja totale e plazheve publike arrin në 3.18 milionë metra katrorë, nga 2.88 milionë metra katrorë në vitin 2025, ose 303 mijë metra katrorë më shumë.
LAJME TË MIRA – PLAZHI PUBLIK:
•Plot 1,689 parcela/stacione plazhi me funksion e administrim publik në vitin 2026, kundrejt 1,014 në vitin 2025. +67% më shumë, ose +675 parcela publike!
•Sipërfaqja totale publike shkon në 3.18 milionë m², nga 2.88 milionë m² në vitin 2025, pra 303 mijë m² më shumë plazh publik (ose +10.5%)!
•124 parcela/stacione publike janë këtë vit në administrim të bashkive, një tipologji e re shërbimi që nuk ishte e zyrtarizuar në vitin 2025. Kjo kategori plazhi e tarifuar dhe e pajisur me çadra e shezlongje me çmime shumë ekonomike përbën 475 mijë m² hapësirë për pushuesit.
Nga këto 124 njësi, më shumë ka Lezha me 49, Durrësi me 38, Shkodra me 16, Himara me 11 dhe Vlora me 10. Për nga sipërfaqja, Durrësi ka rreth 316 mijë m², Lezha 75 mijë m², Himara 51 mijë m², Vlora 21 mijë m² dhe Shkodra 13 mijë m².
•665 parcela/stacione plazhi më herët të menaxhuara nga privatët, janë kthyer në funksion publik, si rezultat i mosaplikimit ose refuzimit të aplikimeve. Kjo i shtoi sivjet plazhit publik 768 mijë m² në sipërfaqe.
•Edhe shtrirja e stacioneve/plazheve përjashtimore është zgjeruar: 22 plazhe përjashtimore në vitin 2026, nga vetëm 2 në vitin 2025, pra 20 stacione më shumë / ose 11 herë më shumë. Duke përfshirë 570 parcela dhe rreth 1.42 milionë m² sipërfaqe plazhi të menaxhuar e të formalizuar.
Lufta ndaj abuzivizmit të çmimeve përmes alternativës së re të plazhit me menaxhim bashkiak, me tarifa të miratuara në këshillat bashkiak dhe që rregullojnë tregun duke ofruar mundësi të përballueshme shërbimi e akses publik të garantuar, bashkë me formalizimin e plazheve dhe me fiskalizimin e pagesave, me rritjen e ndërgjegjësimit dhe masat e sigurisë në det e në vrojtim, kanë sjellë një rezultat pozitiv e të prekshëm për qytetarët dhe pushuesit, duke ulur kostot e mirëadministruar turizmin.
Ka ende shumë për të bërë me kontrollin dhe ligjshmërinë edhe në plazhet liqenore e lumore, në zonat e mbrojtura e në ishuj, për standarde e protokolle të qendrueshme higjene, sigurie e aksesi të përballueshëm.






