Një operacion i Policisë së Pukës ka çuar në goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Arst. Në kuadër të operacionit të koduar “Arsti”, u arrestua një 55-vjeçar, i dyshuar si autor i kultivimit të kanabisit, ndërsa u procedua penalisht edhe kryeplaku i fshatit për shpërdorim detyre.
Sipas Policisë, operacioni u zhvillua pas kontrolleve intensive në terren dhe hetimeve të kryera me metoda proaktive për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë zbuluan 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të kultivuara në territorin e fshatit Arst. Bimët u asgjësuan me djegie, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të operacionit u vu në pranga shtetasi me inicialet Skënder Nika, 55 vjeç, banues në fshatin Arst, i dyshuar për kultivimin e parcelës me kanabis. Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj kryeplakut të fshatit, shtetasit M. K., 60 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Policia bën të ditur se kontrollet kundër kultivimit të bimëve narkotike do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për vijimin e veprimeve hetimore.





