Valbona Kalaja, e veja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili më 6 tetor të vitit të kaluar u vra brenda sallës së gjyqit në një proces për prona, i kërkon Toni Gogut që të mos lërë pas dore çështjen e sigurisë në gjykata dhe veçanërisht atë të Gjykatës së Apelit në Tiranë, në një kohë që ministri i Drejtësisë promovon në rrjetet sociale ecurinë e punimeve për ndërtimin e një burgu në Kukës.
E veja e gjyqtarit Kalaja ka komentuar poshtë një videoje të publikuar nga ministri Gogu, ku ky i fundit duket teksa inspekton punimet e ndërtimit të burgut, duke shkruar: “Zoti ministër, filloni ndërtimin e një Gjykate të re të Apelit në Tiranë, sepse kushtet e kësaj gjykate janë skandaloze. Para një jave një e afërme kishte një gjyq dhe m’u desh ta shoqëroja dhe, të them të drejtën, më dhimbsen ata gjyqtarë që punojnë në ato kushte. Ju vetë keni punuar në gjykatë dhe e dini shumë mirë çfarë do të thotë. Bashkëshorti im e dëshironte gjithë kohës një gjykatë të re, pasi në Shkodër punonte në një gjykatë me standarde evropiane dhe e mendoj shpesh se, po të ishte me punë në Shkodër, kurrë s’do t’i ndodhte ajo që i ndodhi. E meritojnë ata njerëz të punojnë në kushte normale, sepse kanë një punë të vështirë mbi supe.”
Nuk ka vonuar as përgjigja e ministrit Gogu, i cili shprehet se është i angazhuar në përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore, por si çdo proces tjetër, edhe ky kërkon kohë. “E nderuar zonjë Valbona Dema Kalaja, faleminderit për mesazhin tuaj. E kujtoj me respekt dhe nderim kontributin e të ndjerit Astrit dhe e kuptoj shumë mirë shqetësimin që ngrini. Përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore është një nga objektivat ku po punojmë me institucionet përgjegjëse. Nuk është një punë që bëhet brenda natës, por është një angazhim që e konsideroj të rëndësishëm. Ju falënderoj për ngritjen e shqetësimit”, shkruan ministri.
Më 6 tetor 2025, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë në sallën e gjyqit, nga Elvis Shkambi, ku mbetën të plagosur edhe babë e bir nga pala kundërshtare Ragip dhe Ervis Kurti.
Gjon Shkambi pretendon se nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij Elvis Shkambi që qëlloi ndaj gjyqtarit Kalaja sapo ky i fundit lexoi vendimin kundër kërkesës së tij lidhur me një konflikt pronësie.
Elvis Shkambi bashkë me xhaxhin e tij Gjonin po prisnin një vendim, mes të shumtëve në sagën e proceseve gjyqësore, sa i takon konfliktit që kishin me 31 familje për çështje pronësie. Familja Shkambi kishte përfituar një pronë si ish pronar që në vitet ’90 por strehimi i 31 familjeve në të njëjtën godinë nisi konfliktin gjyqësor që zgjat prej 3 dekadash.






