Turizmi në Velipojë ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm në nivel kombëtar. Velipoja Grand Europa Resort është renditur ndër resortet dhe eksperiencat turistike më të mira në Shqipëri, duke u vlerësuar me vendin e tretë në kategorinë “TEA’s Experience Award” në ceremoninë prestigjioze TEA Awards 2026.
Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, e cila e cilëson këtë çmim si një konfirmim të cilësisë së lartë që ofron resorti dhe të vlerësimit që ai gëzon nga vizitorët.
Ky sukses e vendos Velipoja Grand Europa Resort në mesin e destinacioneve më të preferuara turistike në vend, duke e bërë një nga emrat më të spikatur të turizmit shqiptar në vitet e fundit. Sipas të dhënave të publikuara, resorti ka qenë ndër më të kërkuarit dhe më të vlerësuarit në platformën TEA App gjatë periudhës 2024–2026.
I njohur për pozicionin pranë vijës bregdetare, standardet e akomodimit dhe mikpritjen, Velipoja Grand Europa Resort, vazhdon të tërheqë turistë nga Shqipëria dhe jashtë saj, duke kontribuar në promovimin e Velipojës si një nga destinacionet kryesore verore të vendit.
Vlerësimi në TEA Awards 2026 konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për resortin, por edhe për turizmin e Velipojës, që po fiton gjithnjë e më shumë reputacion në hartën turistike shqiptare.






