Vijojnë tensionet dhe përplasjet brenda radhëve të Partisë Socialiste. Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar publikisht përmes një statusi në rrjetet sociale, në atë që shihet si një përgjigje ndaj deklaratës së zv/ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, ndaj ish-kandidatit për deputet të PS-së, Paulin Luli.
Debati nisi pasi Luli u pa duke marrë pjesë në protestën e opozitës kundër qeverisë. Pas kësaj, Bilali e sulmoi publikisht me një status të ashpër, ku shkruante: “O Paulin, rrej Tiranën me fabulën e punëtorit të ndershëm në Gjermani se Puka e tanë Shkodra e dinë se çfarë je!”
Në reagimin e tij, Ndreu nuk e mbështet pjesëmarrjen e Lulit në protesta, por kundërshton etiketimet ndaj tij për periudhën e emigracionit në Gjermani.
“Përtej asaj që nuk gjej arsye për një shokun tim të marrë pjesë apo të nxisë protesta, nuk mendoj se duhet të etiketohet se ka punuar me punë të pandershme në emigracion! Kjo nuk është e mirë dhe nuk i shërben askujt! Në atë që ka bërë në emigracion s’ka asnjë shenjë negative, përkundrazi! Nuk më pëlqen çka po bën këto ditë, por e admiroj për punën që ka ndërtuar me djersë në Gjermani!”, shkruan Ndreu.
Reagimi i kryebashkiakut të Lezhës po interpretohet si një qëndrim në mbrojtje të figurës së Paulin Lulit, duke nxjerrë në pah një tjetër episod përplasjesh dhe qëndrimesh të ndryshme brenda kampit socialist.






