Ballina Politike Rama mbledh nesër grupin parlamentar të PS/ Zbardhet axhenda, në fokus integrimi...

Rama mbledh nesër grupin parlamentar të PS/ Zbardhet axhenda, në fokus integrimi dhe investimi në Zvërnec

Kryeministri Edi Rama pritet paraditen e së shtunës të drejtojë mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të marrin pjesë edhe ministrat. Sipas axhendës, mbledhja do të nisë në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave , ku fjalën hapëse do ta ketë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla e më pas kryeministri Edi Rama. Si pikë e parë në agjendë është informimi mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit. Deputetët socialist do të kenë në dispozicion secili nga 2 minuta kohë për të drejtuar pyetje. Në dokumentin e agjendës, si pikë e dytë renditet informimi mbi Paketën e Ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pika e tretë e agjendës, e cila mund të konsiderohet si më e rëndësishmja, ka të bëjë me informimin mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik në ishullin e Sazanit. Sakaq, Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Administrative, parashikohet në agjendë të informojë kolegët e Grupit socialist mbi ecurinë e deritanishme të reformës territoriale. Kryetari i Grupit, Taulant Balla, parashikohet të bëjë një informim të zgjeruar mbi detyrat e lëna nga mbledhja e shkuar e të njëjtit format, përfshirë performancën e anëtarëve të Grupit parlamentar. Si pikë e fundit e kësaj mbledhjeje parashikohet një fjalë e kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Pritet të shihet nëse kryeministri Rama do të ndalet në zhvillimet e fundit politike apo jo, siç janë largimi nga grupi i PS i Marjana Koçekut apo deklaratat e Elisa Spiropalit për protestën, të shprehura përmes një statusi të gjatë në Facebook 10 ditë më parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks