Kushdo që ka tentuar të udhëtojë drejt bregdetit shqiptar në fundjavat e fundit, me shumë gjasa është “penduar” për zgjedhjen e bërë.
Kolonat e trafikut, që nisin që nga Kavaja për ata që kthehen nga jugu, janë bërë pamje e zakonshme. Për të dalë nga rruga dytësore e Golemit deri në Plepa, kërkohet më shumë se një orë. Një situatë e ngjashme, shpesh edhe më kaotike, përsëritet në kthimin nga Shëngjini apo Velipoja. Dhe ky është vetëm fillimi i sezonit turistik.
Kaosi në rrugë është një përvojë zhgënjyese edhe për turistët e huaj. Shpesh, vonesat në trafik përbëjnë rrezik real për humbjen e fluturimeve nga Aeroporti i Rinasit. Në forume të ndryshme, ata ndajnë kritika të përsëritura: rrugë të ngarkuara, sinjalistikë të munguar ose të paqartë, infrastrukturë të papërshtatshme për këmbësorët, dhe një transport publik të vjetëruar e të paorganizuar.
Në kontrast me këto probleme, turizmi ka qenë motori më i fuqishëm i rritjes ekonomike në vitet e fundit. Shqipëria ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare si një destinacion i ri dhe i përballueshëm në Mesdhe. Vetëm në vitin 2024, vendi shënoi një rekord prej 11.7 milionë hyrjesh të shtetasve të huaj, nga 5 milionë në vitin 2018. Sivjet, pritet një rritje tjetër prej të paktën 10%.
Ky bum turistik është nxitur nga natyra e pasur, trashëgimia kulturore dhe çmimet konkurruese. Krahas përfitimeve të mëdha për hotelerinë, restorantet, shërbimet e transportit dhe bizneset ndihmëse, turizmi ka shërbyer edhe si mbështetje për konsumatorët vendas në një kohë të emigrimit masiv. Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025, turistët e huaj shpenzuan 874 milionë euro, një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ambiciet janë edhe më të mëdha. Qeveria synon që deri në vitin 2030, hyrjet turistike të arrijnë në 30 milionë. Po zhvillohen projekte elitare si ishulli i Sazanit dhe hotelet me pesë yje në Vlorë e Velipojë. Por ky potencial rrezikon të pengohet nga një realitet i pakëndshëm: infrastruktura rrugore nuk po e ndjek ritmin e zhvillimit.
Imagjinoni një turist elitar që duhet të udhëtojë mbi dy orë nga Rinas drejt një resorti luksoz në Velipojë, në kushte rrugësh të ngarkuara, të amortizuara dhe shpesh pa sinjalistikë. Duke parë investimet, rreth 800 milionë euro në dy vitet e fundit sipas Ministrisë së Financave, kryesisht në jug, lind pyetja e pashmangshme: pse efektet në terren janë kaq të pakta?
Rrjeti rrugor vazhdon të ketë nyje problematike në pika strategjike, ndërsa transporti hekurudhor është thuajse jashtë funksioni. Edhe një raport i fundit i OECD-së e rendit Shqipërinë të fundit për infrastrukturë ndër 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar mungesën e investimeve dhe standardeve moderne, sidomos në zonat rurale.
Transporti publik, që mund të ishte një alternativë efikase, ekologjike dhe e përballueshme, mbetet i fragmentuar dhe jofunksional: minibusë të vjetër, orare të paqarta, kushte të papërshtatshme për udhëtarët. Pa një plan kombëtar të integruar për zhvillimin e infrastrukturës dhe transportit publik, me prioritete të qarta, afate të përcaktuara dhe llogaridhënie institucionale, rrezikojmë të dëmtojmë jo vetëm përvojën e turistëve, por edhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Infrastruktura sot nuk është më thjesht çështje komoditeti është testi i madh i shtetit shqiptar për të treguar nëse është në gjendje të menaxhojë rritjen dhe suksesin. Sepse nëse nuk ndërhyhet me shpejtësi dhe seriozitet, rrugët që duhet të ishin korridore zhvillimi do të mbeten pengesa. Dhe Shqipëria, nga një destinacion që premton shumë, mund të kthehet në një vend që zhgënjen pritshmëritë.