Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” të kësaj të shtune kishte të ftuar një shqiptar që ka emigruar në Greqi, duke iu bërë kështu thirrje shqiptarëve të Diasporës të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 1 majit.
Rama theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet e parlamentare.
“Shqiptarët në Greqi, Itali apo kudo tjetër, janë dëshmitarë të transformimit të bërë”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti gjithashtu i ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të kthehen në atdhe për të investuar këtu.
“Në radhë të parë çdo kthim i atyre që janë jashtë janë kthim i një dije ekstra, për shkak të eksperiencës së mbledhur në realitet tjetër. Së dyti, nuk është Shqipëria dot aspak më e vështirë seç ishte Greqia dje, për këta njerëz që kur vajtën dje atje ishin frymë të gjalla në qiell të hapur, madje të mbuluar nga hija e paragjykimeve dhe sot fakt që 35% e prodhimit në Kretë që është zona më pjellore e Greqisë është e shqiptarëve.
Janë shumë më të fortë sot dhe kanë edhe dije ekstra, në rast se këta që kanë dilemë fillojnë dhe punojnë edhe tokën e tyre këtu, apo marrin e qira tokat e tjerëve, lidhen me të tjerët, me siguri që bëjnë sukses për arsye sepse nuk kanë arsye pse të mos bëjnë sukses siç mund të kishte deri dje dhe patjetër që nuk janë të huaj që nuk njohin terrenin ose… janë jo thjesht në habitatin e tyre por një armë, që shumëkush këtu nuk e ka, që janë armët e një eksperience jashtë vendit. Sigurisht që me avancimin që po kemi dhe së shpejti do hapim kapitujt e tjerë të negociatave dhe me gjasat që të hyjmë në BE brenda kësaj dekade, dhe vetvetiu do të jetë një investim shumë i mirë. Asnjë investim që është 100%, sa më 100% i sigurt të jetë investimi aq më pak fitime ke”, shtoi kryeministri.