Thuajse një vit nga vizita e saj e fundit në Shqipëri, Ursula Von Der Leyen tha këtë të mërkurë në Tiranë, se sheh një përparim të rëndësishëm të vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ajo kërkoi të ruhet ritmi i reformave, të vijohet me zbatimin e tyre dhe nënvizoi nevojën për një angazhim përtej ndasive politike e për një dialog me shoqërinë për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve të saj.
Rastet e zyrtarëve të niveleve nga më të larta që kanë përfunduar nën hetime, nuk përbëjnë sipas saj një pengesë në ecurinë e vendit drejt BE-së, përkundrazi.
“Shumë e qartë: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është kyce, është në thelb në zemër të gjithë punës dhe për ne. Dhe kur shohim cështje të cilat po hetohen ato janë provë që sistemi po funksionon. Unë mendoj që ky është fuqizimi i sistemit gjyqësor ajo që po shohim”, tha Ursula Von Der Leyen.
Edhe për kryeminstrin Rama, rasti i fundit i drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror duhet parë pikërisht në këtë dritë
“Për mua, përgjegjësia politike është një: që reforma në drejtësi të mos ndalet, që lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha veprimeve që bien ndesh me ligjin të zhvillohet gjithmonë e më shumë si një mision i sistemit. Ata që tradhtojnë qëllimin e përbashkët duhet të përballen me pasojat përmes sistemit të pavarur gjyqësor”, tha Rama.
Nga kryeqyteti shqiptar ku zgjodhi të çelë turin ballkanik, në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut, duke lënë jashtë Serbinë e Bosnje Hercegovinën, Von der Leyen, përmendi, propozimet e reja nga komisioni për përshpejtimin e procesit të integrimit, si dhe rishikimin e strategjisë së zgjerimit, duke hequr përkohësisht të drejtën e vetos për anëtarët e rinj
“Mesazhi im i fundit është ky: Ju po përgatiteni në Shqipëri, por edhe ne po përgatitemi pasi zgjerimi eshte një proces me dy kahe. Pra, edhe BE duhet të jetë gati që të mirëpres anëtarët e rinj dhe për këtë arsye javën e ardhshme ne do të paraqesim rishikimet e politikave tona të zgjerimit.
Që do të thotë ne do shqyrtojmë institucionet tona, politikat tona, do shikojmë dhe buxhetin tonë për t’u siguruar që Bashkimi ynë Europian është gati për t’u zgjeruar, për të mirëpritur anëtarët e tjerë, anëtarët e rinj.
Plani që po përgatit Brukseli parashikon kufizimin e përkohshëm të së drejtës së vetos për vendet e reja. Një ide që mori mbështetjen e Ramës, i cili kujtoi se Shqipëria vetë ka qenë viktimë e vetos gjatë rrugës së integrimit” tha ajo.
“Shqipëria ka qenë në mënyrë të përsëritur viktimë e ushtrimit të asaj të drejte, viktimë e një vetoje ose e një mekanizmi i cili në kohët e sotme, është një mekanizëm i tejkaluar sipas meje dhe nga ana tjetër unë nuk besoj se duke mbrojtur këtë ide, ne si Shqipëri humbim ndonjë gjë sepse nuk ma ha mendja që ne si Shqipëri të na duhet ndonjëherë vetoja për të bërë të fortin në tryezën e një familjeje ku duhet të ndihemi të privilegjuar ku të jemi pjesë si të barabartë mes të barabartësh, por jo që të arrijmë në pikën ku të bëjmë edhe goditjen me grusht të tavolinës”, tha Rama.
Ndërsa Rama bisedonte me Von der Leyen, një grup protestuesish tentuan t’i afrohen godinës së qeverisë, por mbetën të bllokuar në distancë të largët nga forca të shumta të policisë.
Çështjen e Zvërnecit e cila ka qenë zanafilla e protestave të përnatshme, kryeministri Rama e përmendi vetë që në nisje të konferencës me Von der Leyen.
“Ditët e ardhshme nesër pasnesër do të ndezim pasqyrën me transparencën e plotë të të gjithë dokumentave, procesit e shkruar e zeza mbi të bardhë, projektin e shumë diskutuar”, tha Rama.
Nga godina e qeverisë, presidentja e Komisionit Europian u takua dhe me presidentin Bajram Begaj. Kreu i shtetit theksoi se reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit mbeten përparësi themelore.






