Partia Demokratike ka nisur mosbindjen civile në Tiranë. Mbështetësit e opozitës janë shpërdarë në 5 nyjet kryesore rrugore të kryeqytetit duke paralizuar qarkullimin. Skenari duket i ngjashëm me protestat e mëparshme të zhvilluara prej 7 tetorit e deri tani. Rrugët e bllokuara janë rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ai i Pallatit me Shigjeta, sheshi Wilson, Rruga e Elbasanit dhe segmenti ndërmjet ministrive dhe Bashkisë së Tiranës. Kjo mosbindje civile e opozitës e cila pritet të zgjasë 3 orë po zhvillohet në kushte atmosferike të pafavorshme, pasi reshjet e shiut vijojnë me intensitet prej disa orësh.

“Çdo formë e mosbindjes civile është e mundshme. Ne tërhiqemi vetëm kur të votohet qeveria teknike dhe zgjedhje të lira”. Kështu u shpreh Sali Berisha në protestën e pestë të mosbindjes civile të opozitës, sipas të cilit asgjë nuk do t’i pengojë demokratët për të arritur objektivat e tyre. Për kreun demokrat ky dimër do të jetë i vështirë si për Ramën dhe për Vuçiçin në Beograd.

“Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar objektivat e tyre. Sot një nga ditët më të veçanta të dhjetorit, por sot është dita e demokratëve. Jemi në detyrë, në protestë, në revoltë në mosbindje ndaj narkodiktatorit. Ky dimër premton të jetë i vështirë si për argatin e Tiranës dhe padronin e Beogradit. Edhe në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin. I përshëndes nga zemra ata qytetare e demokratë që kanë marrë Tiranën në duart e tyre. Përshwndes mbarë qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës e Shqipërisë dhe nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona; qeveri teknike zgjedhje të lira. Nëse Rama nuk e pranon rrëzohet Mosbindja civile është kodi i përmbysjes së diktatorëve”.

Ai u shpreh i kënaqur me arritjet e deritanishme nga aktet e mosbindjes civile dhe tha se prej tyre qeveritarët po shndërrohen në kufoma politike.

“Deri tani janë 15- 20 forma të ndryshme në parlament e kudo. E rëndësishme është që projekti i mosbindjes civile të realizojë qëllimet e veta. Jam shumë i kënaqur nuk e shikoni si po përfundojnë? Si kufoma politike njëri pas tjetrit. Imagjinoni ju çdo ishte sot Veliaj po të mos kishte qenë mosbindja civile te bashkia, si është sot ai? I pakallur. Ne kemi sakrifikuar, kemi bërë beteja por betejat tona janë shpërblyer se zëri ynë u dëgjua në gjithë botën. Mediat e stamposën Ramën si neodikator”.

I pyetur se komisioni rrëzoi kërkesën e opozitës për portin e Durrësit. Berisha tha se kreu i asaj afere është Rama, por opozita nuk do të tërhiqet.

“Se Rama është kreu i asaj afere të tmerrshme, më e madhja në historinë e Shqipërisë dhe ndër më të mëdhatë në historitë e botës. Porti i Durrësit është pasuria nr.1 e shqiptarëve. Po përvetësohet nga Rama duke përdorur si mburojë Al Alabarin, por në të vërtetë është përvetësim i tij dhe klaneve të drogës. Ne nuk e falim kurrë Portin e Durrësit. Nuk tërhiqemi. Çdo formë e mosbindjes civile është e mundshme. Ne tërhiqemi vetëm kur të votohet qeveria teknike dhe zgjedhje të lira. Rama është i humbur, i përfunduar. Ju e patë si kishte rënë në mënyrë dramatike audienca e tij në Tik Tok e Instagram që nuk i kontrollon dot. Rama e ka kuptuar këtë dhe është i pashpresë. Përpiqet, por tani është radha jonë”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu