Jozefina Topalli: Në 11 Janar 2025 nis procesi historik për diasporën shqiptare, regjistrimi për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025
Dje, ne takimin me shqiptaret ne Lörrach te Gjermanisë.
“Të dashur miq, të dashur shqiptarë,
Është gjithmonë një emocion i veçantë të jem mes jush, njerëz që, edhe pse keni jetuar larg Shqipërisë, e keni ruajtur dashurinë dhe lidhjen me vendin që na bashkon të gjithëve – atdheun tonë.”
“Çdokush këtu ka një histori. Një rrugëtim që i mbart dhimbjet, sfidat dhe sakrificat e emigrimit. Dhe është një nder për mua t’ju dëgjoj e të ndaj disa fjalë me ju.”
“Në mesin tuaj ka njerëz që kanë emigruar vite më parë. Si fëmijë, shumë prej jush nuk e njihnit fare gjuhën, kulturën apo vendin ku u detyruat të nisni nga e para. Ishin kohë të vështira, ku gjithçka duhej fituar me sakrificë të madhe.
Ishte puna juaj e palodhur që ju mbajti mbi ujë, që ju dha dinjitet dhe bëri që fëmijët tuaj të ndërtojnë jetë këtu. Ju jeni simbol i forcës dhe guximit!”
“Të dashur shqiptare qe jetoni ne Lörrach,
Sot, për herë të parë, keni mundësinë të bëheni pjesë e vendimmarrjes për atdheun tonë, pavarësisht se ku jetoni. Vota juaj është zëri juaj, është forca juaj për të treguar që Shqipëria nuk është harruar e nuk është lënë pas.
Mos lejoni që mundësia e ndryshimit të humbasë. Vota juaj është një akt dashurie për atdheun, një shenjë se gjithmonë mund të jemi bashkë për një Shqipëri më të mirë. Shqipëria ka nevojë për ju – sot më shumë se kurrë.
Dilni dhe votoni! Për të ardhmen e vendit që mbani në zemër!”
Në datën 11 Janar 2025 nis një proces historik për diasporën shqiptare-regjistrimi i emigrantëve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025. Kjo është një mundësi që nuk duhet ta humbni, një e drejtë që i kemi pritur prej vitesh.
Regjistrohuni dhe bëhuni pjesë e ndryshimit! Vota juaj ka rëndësi dhe është zëri juaj që mund të sjellë një Shqipëri më të drejtë, një Shqipëri ku të gjithë ne besojmë dhe shpresojmë. Ju nuk jeni thjesht spektatorë; ju jeni pjesë e historisë dhe forcës që mund ta çojë përpara vendin tonë.
Mos e lini vendimin për të ardhmen në duar të të tjerëve. Niseni këtë rrugëtim duke u regjistruar dhe duke treguar se diaspora shqiptare ka një rol të pashlyeshëm në të ardhmen e Shqipërisë!”