Pas 11 muajsh në arrest shtëpie, ish-kryeministri Sali Berisha u rikthye në Kuvend. Nga Foltorja e Kuvendit ai akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama se tentoi që ta eliminonte opozitën duke burgosur Berishën pa asnjë provë në dhjetor të vitit të kaluar. Por sipas Berishës, Rama i kishte bërë llogaritë gabim. Kreu i PD tha se rikthehet në Parlament për të udhëhequr opozitën drejt fitores.

Berisha: Sot ja ku jam! Unë vij këtu me mesazhin e fitores.
Vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores

Po mbaheni me shpirt ndër dhëmbë.
Unë erdha, ju e dini vetë…
E shoh çehren që u ka rënë, por ia bëtë vetes dhe ju qofshi.
Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë.
11 muaj më parë, me datën 21 dhjetor të vuitit të kaluar, Edi Rama mendoi se realizoi ëndrrën e tij që të mos shihte më në këtë sallë Sali berishën, ëndrrën e tij atërore të një Shqipërie pa opozitë.
Në një vendim që zgjati gjithsej 8 minuta, me pasion dhe histeri të madhe, gjysma prej jush atë ditë tentuan të varrosin demokracinë, pluralizmin në Shqipëri.
Votuat duke më mohuar të drejtën e fjalës, sepse fjala ime tmerronte narkodiktatorin dhe shumë prej jush.
Votuat duke mbushur parlamentin me mbi 50 gardistë.
Votuat pa më dhënë fjalën, me mendimin se kjo do ishte dita e fundit e Sali Berishës në parlamentin e Shqipërisë.
Rikujtuat në këtë mënyrë se ishte dhjetor. Në dhjetor të vitit 1946, Enver Hoxha vendosi të eliminojë opozitën e Shqipërisë.
Edi Rama, për të nderuar kujtimin e tij, zgjodhi pikërisht dhjetorin për të larguar Sali Berishën nga parlamenti, për të arrestuar Sali Berishën pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë dosje.
Mirëpo i bëtë llogaritë të gabuara sepse nuk ishte viti 1946.
Është e vërtetë se ju për fatkeqësinë e kombit amerikan, kishit mbështetjen e atyre që ishin larguar nga parimet e mëdha të lirisë të atij kombit dhe ndiqnin axhendën e Xhorxh Sorosit, kësaj monstre të njerëzimit, këtij armiku të egër të kombit amerikan, pastaj edhe miqve të tyre kudo.
Pra, ju me 21 dhjetor votuat për të kompletuar grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare.
Mirëpo, sot ja ku jam. Unë vij këtu me mesazhin e fitores.
Vij këtu fitimtar, vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores.
Edi Rama nxin aty si Edi Metamorfoza, nxin si banor i bodrumeve më të zeza të mafies shqiptare.
Nxin si hajduti më i madh në historinë e kombit shqiptar.
Nxin si armiku më i egër i qenies shqiptare në kohëra.
Nxin sepse në 12 vite u angazhua me të gjitha mjetet për të dhunuar, për të kontrolluar vullnetin politik të shqiptarëve njëlloj si etërit e tij.
U angazhua me çdo mjet për të vjedhur fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve, për t’u bërë miliarder me pronat e shqiptarëve.
U angazhua në mënyrën më makabër kundër Kosovës, kundër interesit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë, në zbatim të politikës së serbomadhnisë.
U angazhua duke përdorur armiq persekutorët e presidentit Donald Trump, si McGonigal, kundër Sali Berishës dhe opozitës shqiptare.
U angazhua duke shpenzuar miliona lobime e mashtrime në të katër anët e botës kundër një opozite, e cila ishte në kod, në Kushtetutë dhe në çdo vend të lirë, pushteti moral i vendit dhe pa të cilën demokracia nuk mund të ekzistojë.

Berisha: Ju jeni të dështuar në mënyrë përfundimtare! Miratoni një buxhet pa asnjë qindarkë për të rinjtë dhe pensionistët

Po sot, ju jeni të dështuar në mënyrën më përfundimtare.
Sot, ju përfaqësoni ata që vrasin 14-vjeçarin dhe që këtu nuk ngrihen për të mbajtur 1 minutë heshtje, nuk ngrihen për të nderuar me 1 minutë heshtje shpirtin e tij të pafajshëm që u mor në gjirin e shkollës.
Sot ju përfaqësoni oficerin e paguar si snajper për të ekzekutuar biznesmenin.
Sot ju përfaqësoni ata që ndajnë një rrugë 13 kilometra në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë.
Sot ju përfaqësoni njerëzit që paraqisni një buxhet këtu pa asnjë qindarkë për të rinjtë shqiptarë, pa asnjë qindarkë pothuajse për 800 mijë pensionistë, në një kohë kur rrogat tuaja janë të barabarta me 70 pensione. E kuptoni ku keni arritur ju?
Prandaj dhe reagimi juaj kolektiv si kope, si tufë, o burra të votojmë për shpëtuar. Po nuk shpëtoni dot.
Këto janë krime që bëjnë së bashku të paktën 3 mijë vite burg, edhe me klemenca.
Po si mund të sillni ju në parlament këtu një buxhet për 800 mijë njerëz, të cilët marrin një pension sa ç’merr gjermani për qenin e shtëpisë, dhe që marrin ushqimet, naftën, 30, 50 përqind më shtrenjtë se gjermani?
Si mundet?
Ju jeni të dështuar!
A e kuptoni ju se të sëmurët në spitalin onkologjik dhe në spitalet tona nuk vdesin nga sëmundjet, por vdesin nga mungesa e ilaçeve sepse u vidhni atyre paratë e caktuara për të blerë ilaçe?
A e kuptoni ju se Shqipëria është vendi më i pasur në rajon, kurse pensionistët e saj janë njerëzit më të përçmuar, më të përbuzur të rajonit dhe të botës?
Si mund të sillni të votohet këtu një buxhet 8.2 miliardë euro dhe të përcaktoni 16 milionë euro për 800 mijë vetë?
Kush mund ta bëjë këtë? E bëjnë vetëm ata që kanë tmerr nga njerëzit.
E bëjnë vetëm ata që janë kavërdisur në krimet e tyre dhe nuk mund të shohin gjë tjetër.
Po Shals, ata pensionistë që marrin një të dyzetën e rrogës tënde, paguajnë TVSH për ushqime njëlloj sa ti?
A e kupton ti apo jo? Nuk ke mëshirë ti.
Nuk ke mëshirë ti se ti nuk numëron dot apartamentet e tua të vjedhura, kjo është e njohur dhe nuk je i vetëm.
Kampion, padrino është Edi Rama.
Pra, ju jeni të dështuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu