Prokurori Xhevahir Lita, u arrestua për korrupsion dhe krim të organizuar gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe pak ditë më vonë u pezullua nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP. Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vijoi investimin në kryerjen e procesit të vetingut të tij, duke e përmbyllur hetimin administrativ paraprak vetëm me konstatimet në kriterin e pastërtisë së figurës.
Të mërkurën më 4 shtator, Komisioni zhvilloi seancën dëgjimore dhe shpalli vendimin për Litën, i cili megjithëse nuk ishte i pranishëm, u përfaqësua nga avokati Arben Nela.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 4.9.2024, për subjektin e rivlerësimit, z. Xhevahir Lita, bazuar në ligjin nr. 84/2016, vendosi:
Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Xhevahir Lita, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Suela Zhegu, z. Roland Ilia relator, znj. Genta Tafa Bungo anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Ky vendim u shpall sot, në datën 4.9.2024.
Nisur nga të dhënat e siguruara në aplikacionet e koduara ose të sigurta SKY dhe EnchroChat, SPAK e akuzon Litën se ka marrë para në këmbim të informacioneve të hetimit për persona të përfshirë në krimin e organizuar, si dhe i ka orientuar se si të japin deklarime në polici. Sipas Ilias, krijohen dyshime se prokurori Lita ka qenë pjesë e grupit kriminal dhe për rrjedhojë konstatohet mungesë integriteti, se ka kontakte të papërshtatshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut.