Ballina Aktualitet Skënder Hita kritika të forta Policisë së Shkodrës, kërkon rezultate në zbardhjen...

Skënder Hita kritika të forta Policisë së Shkodrës, kërkon rezultate në zbardhjen e vrasjeve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim pune në Shkodër me drejtues dhe përfaqësues të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë së qarkut. Takimi është fokusuar te problematikat e sigurisë në qark dhe te nevoja për rritjen e efektivitetit të strukturave vendore në parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale. Gjatë mbledhjes, Hita ka shprehur kritika për nivelin e rezultateve të Policisë së Shkodrës, duke kërkuar një angazhim më të madh në disa prej problematikave që vijojnë të mbeten shqetësuese për qarkun. Në fokus kanë qenë zbardhja e ngjarjeve kriminale, veçanërisht e vrasjeve, goditja e grupeve kriminale, lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, si dhe menaxhimi i sigurisë rrugore. Një tjetër çështje e ngritur gjatë takimit ka qenë siguria në institucionet arsimore, veçanërisht në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Kreu i Policisë së Shtetit u ka kërkuar strukturave vendore rezultate konkrete dhe rritje të performancës, duke theksuar nevojën për një qasje më efikase ndaj kriminalitetit dhe fenomeneve që cenojnë sigurinë publike në qarkun e Shkodrës. Takimi është zhvilluar në një ditë kur Shkodra u përball edhe me një ngjarje të rëndë kriminale. Ylber Luli u vra në qytet, ndërsa policia arrestoi menjëherë pas ngjarjes autorin e dyshuar, Andri Vulaj. Mbledhja e zhvilluar në ambientet e strukturave vendore të Policisë së Shtetit zgjati më shumë se një orë. Takimi në Shkodër është pjesë e turit të drejtuesit të Policisë së Shtetit në qarqe të ndryshme të vendit, ku ai po zhvillon takime me drejtuesit vendorë dhe strukturat policore, me synim evidentimin e problematikave dhe rritjen e rezultateve në luftën kundër kriminalitetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks