Papa Leoni XIV kremtoi Meshën e Shenjtë në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano, në prag të festës së Lindjes së Virgjërës Mari, duke ia kushtuar homelinë e tij Marisë, fuqisë së pranisë së saj të heshtur dhe misionit të paqes në një botë të plagosur nga konfliktet. Në këtë vend të lidhur ngushtë me përkushtimin ndaj Zojës së Këshillit të Mirë, Papa theksoi se Maria na mëson një mënyrë tjetër për ta parë historinë: jo përmes zhurmës, pushtetit apo madhështisë njerëzore, por përmes besimit, përulësisë dhe pranisë.
“Që në ditët e para të pontifikatit tim, ndjeva detyrimin dhe një dëshirë të thellë për t’u afruar me Genazzanon, me Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë, e cila gjatë gjithë jetës sime më ka shoqëruar me praninë e saj amëtare, me urtinë e saj dhe me shembullin e dashurisë për Birin, i cili është gjithmonë qendra e fesë sime. Rruga e Zotit ka qenë dhe mbetet më e thjeshtë dhe më e heshtur, e megjithatë jo më pak e fuqishme dhe shndërruese. Në Jezu Krishtin, Zoti ka zgjedhur kushtet më të përulura të historisë dhe krijesën më të përulur për të shfaqur Mbretërinë e tij, ku kryelartësia nuk ka vend dhe gjithëfuqia është krijim, shërbim dhe kujdes për jetën. E megjithatë, vetë prania e Marisë – dhe e Birit në të – vë në lëvizje të gjithë historinë. Prania e Marisë sjell një risi të papritur, të aftë të ndryshojë jo vetëm pritshmëritë, por edhe sjelljet e një njeriu. Në Marinë, shpëtimi gjen shtëpinë e vet: Zoti me ne! Në lutjen soditëse merr formë ajo që bota nuk na e tregon, por që tashmë ekziston; ajo që ende është e padukshme, por që në vetvete mbart një lloj të ri force. Nuk bëhet fjalë për fantazi, por për profeci. Kemi nevojë për të në kohë shkatërrimi dhe pasigurie, për të parë veprën e Zotit dhe për t’i shërbyer asaj. Po, të dashur miq, duam ta përfytyrojmë paqen – të zgjerojmë kufijtë e kuptimit tonë dhe ta pikturojmë atë në shpirtin tonë – për të kuptuar se ajo tashmë ekziston, për ta pranuar dhe për t’i shërbyer asaj. Paqja është dhuratë e Zotit, fryma e të Ngjallurit, vepra e Shpirtit Shenjt. Le ta lejojmë paqen të rritet brenda nesh. Ajo do të lulëzojë në botë.
Këtij momenti të rëndësishëm iu bashkuan edhe Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Arqidioqezës Shkodër-Pult, dhe Dom Artur Jaku, Rektor i Bazilikës së Nanës së Këshillit të Mirë në Shkodër. Prania e tyre në Genazzano, pranë figurës së shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë, merr një kuptim të veçantë në këtë vit jubilar, kur kremtojmë 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë Pajtoren e Shqipërisë. Genazzano dhe Shkodra bashkohen kështu edhe një herë përmes një historie shekullore feje e përkushtimi ndaj Nënës së Këshillit të Mirë.






