Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, thotë se ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli mund të ishte një Giorgia Meloni në politikën shqiptare.

Në emisionin “Good Morning Albanians” në “Euronews Albania”, Shehu u shpreh se Partia Demokratike pati në udhëheqje figura dhe mosha të reja, por sërish dështoi.

Sipas tij, në politikë nuk është e rëndësishme vetëm mosha, por edhe energjitë e idetë.

“Duhet të jem shumë i sinqertë, padyshim që Partia Demokratike kaloi një moment të vështirë, ka rikuperuar shumë, përsëri ka vështirësitë e saj, veçanërisht në nivelin e disa deputetëve. Ne bëmë një trajektore me figura dhe mosha më të reja, por dështuam.

Jozefina Topalli mund të ishte, nuk qëlloi të ishte, por aktiviteti politik është i gjatë, nuk është se mbaron me kaq, as për Jozefinën, as për njeri tjetër. Rëndësi ka në disa momente jo vetëm mosha, por edhe energjitë e idetë”, tha ai.

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare në Itali dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministrja e parë femër në vend.

Meloni është shprehur se me këtë fitore të së djathtës, në Itali është shkruar historia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu