Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Shkodër, Enea Karakaçi, ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të PS-së në Shkodër, ku në fokus kanë qenë organizimi politik dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Gjatë takimit është diskutuar për organizimin e Asamblesë së Zgjeruar të PS-së në Bashkinë Shkodër, platformën për përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si dhe investimet e parashikuara për qytetin në Buxhetin e vitit 2027.
Por, ajo që ra në sy në këtë takim ishte prania e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, i cili u shfaq në krah të Karakaçit dhe strukturave socialiste.
Prania e Becit vjen në një moment kur ai është në pritje të një zhvillimi të rëndësishëm gjyqësor. Kryebashkiaku i Shkodrës është i pandehur në një çështje të hetuar nga SPAK, ku akuzohet për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, lidhur me një procedurë prokurimi të zhvilluar në kohën kur drejtonte KESH-in.
Statusi plote:
Takim me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste Shkodër, me fokus organizimin dhe angazhimin për sfidat e ardhshme politike.
Diskutuam mbi përgatitjet për Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Bashkinë Shkodër, zgjedhjet vendore të vitit 2027, platformën për përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si dhe investimet e parashikuara në Buxhetin 2027 për qytetin.
Vijojmë punën për realizimin e objektivave tona dhe përfaqësimin e prioriteteve të qytetarëve.
#ps2030🌹






