Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ditën e sotme ndodheshin në shkollën “Sami Frashëri”, nga ku nisën konsultimet publike me prindërit për kufizimin apo ndalimin e platformave Tik-Tok apo dhe Snapchat. Diskutimet vijnë një javë pas vrasjes tragjike të Martin Canit jashtë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij, 14-vjeçari Mario Përlleshaj.
Ministrja Manastirliu tha se ka nevojë për më shumë bashkëpunim mes shkollës, familjes dhe komunitetit.
Manastirliu: Ka një nevojë që bashkëpunimi mes shkollës, familjes dhe komunitetit të rritet, të fuqizohet. Ky trekëndësh duhet të rrisë dhe intensifikojë komunikimin. Familja nuk është shkolla, por shkolla nuk mund të bëhet institucioni që operon i vetëm në këtë ambient, do dhe familjen. Mësuesit, drejtuesit e shkollave bëjnë një punë të madhe, bashkë me punonjësit socialë, psikologët, oficerët e sigurisë.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij tha se po punojnë për finalizimin e projektit për ndërtimin e një sistemi të ri dixhital për kontrollin e shkollave. Kreu i qeverisë tha se procesi mësimor do të jetë i monitoruar me kamera, ndërsa theksoi se do të ketë kontrolle në hyrje dhe dalje të shkollave për çdo lloj mjeti metalik apo telefon që fëmijët mund të kenë.
Rama: Po e finalizojmë si projekt tani, në fund të dhjetorit do firmosim marrëveshjen, bëhet fjalë për një sistem të ri të monitorimit të shkollave me teknoloji, dhe një financim që ne do të do ta marrim nëpërmjet një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara. Është sistem i testuar dhe provuar në Emiratet e Bashkuara. Mundëson ndjekjen në kohë reale me kamera të të gjithë procesit mësimor. Çdo prind, në çdo kohë mund të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, mësuesin, duke bërë kërkesë pranë shkollës. Po e kombinojmë me një element plus, të vendosjes së një kontrolli digjital të hyrjeve dhe daljeve në shkolla, për çdo lloj mjeti metalik ose telefon, që fëmijët mund të kenë. Ky problem është më i gjerë se sa kaq. Ky problem është përtej policisë. Mbi të gjitha, ky problem është jo vetëm brenda mureve të shtëpisë.