Një vjedhje nga hajdutë të panjohur ka ndodhur në shtëpinë e kardinalit Ernest Simoni, prelatit të moshuar që banon në Piazza Duomo të Firences, në një apartament në pronësi të Kurisë. Banda e hajdutëve duket se ka vepruar me sigurinë se nuk do të gjente askënd në shtëpi, pasi kardinali pikërisht këto ditë kishte udhëtuar drejt Londrës për një seri takimesh me komunitetet katolike lokale, si dhe për një takim me Mbretin Charles.
Hajdutët vepruan të pashqetësuar gjatë ditës dhe arritën të merrnin një plaçkë me vlerë rreth 30 mijë euro, mes parave cash dhe sendeve me vlerë, sipas një vlerësimi të parë.
“Jemi të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Gjithçka mund të prisnim, përveç faktit që hajdutët të arrinin të bënin një shkatërrim të tillë në Piazza Duomo”, u shprehën të afërmit e kardinalit për Corriere Fiorentino, i cili rindërtoi dinamikën e kësaj vjedhjeje të bujshme. Ishin pikërisht të afërmit ata që zbuluan ngjarjen dhe njoftuan menjëherë autoritetet.
Për të hyrë në banesë, hajdutët praktikisht shembën një pjesë të murit duke shqyer derën e blinduar, gjë që tregon se e dinin se kishin shumë kohë në dispozicion dhe nuk shqetësoheshin aspak nga zhurma e shkaktuar prej daltave dhe çekiçëve. Me shumë gjasë, ata kishin vëzhguar familjarët e kardinalit, të cilët dolën nga shtëpia në orët e para të pasdites dhe u kthyen në mbrëmje.
Ajo që e bën vjedhjen edhe më të çuditshme është fakti se, bashkë me sendet me vlerë, u mor edhe leja e qëndrimit e kardinalit, e cila mbahej në një sirtar. Megjithatë, duket se kjo vjedhje nuk e ka tronditur shumë Simoni-n, i cili u interesua vetëm për gjendjen e statujave fetare që mbante në shtëpi.
Në fund të fundit, prifti shqiptar 97-vjeçar, i emëruar kardinal nga Papa Françesku në vitin 2016, gjatë jetës së tij ka përballuar sfida shumë më të mëdha. Në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri, ai konsiderohej “armik i popullit”. U arrestua natën e Krishtlindjes së vitit 1963, ndërsa po kremtonte meshën. Fillimisht u dënua me vdekje, por dënimi më vonë iu shndërrua në 25 vite punë të detyruar, fillimisht në miniera dhe më pas në kanalizime.
Këto ditë, duke i qëndruar besnik dinamizmit të tij të njohur në veprimtarinë baritore, ai kishte udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku vizitoi komunitetet katolike lokale dhe të martën në mëngjes u takua edhe me Mbretin Charles.
Gjatë ditëve të fundit, ai kishte kremtuar meshë në katedrale të ndryshme, nga Londra në Birmingham, përpara se të udhëtonte drejt Dublinit, në Irlandë, ku fatkeqësisht mori lajmin e keq për vjedhjen.






