Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit e qarqeve në selinë e PS. Ai tha se PS ka objektiv të arrijë 50 mijë anëtarësime të reja. Rama shtoi se objektiv gjithashtu është që në vitin 2030 Shqipëria të jetë gati për Bashkimin Europian.
Prononcimi i plote i Rames:
Meqë jeni këtu si gjithmonë për respekt!
– Zoti kryeministër, cili ishte fokusi i këtij takimi?
Kryeministri Edi Rama: Ne bëjmë takime e rregullta sepse jemi në një proces shumë të rëndësishëm dhe të thellë si asnjëherë më parë për rienegjerzimin e të gjithë qelizave bazë të organizmit të Partisë Socialiste që janë organizata socialiste në të gjithë territorin dhe për vazhdimin e hapjes së partisë për anëtarësime të reja. Siç e ndoqët edhe nga Asambleja Kombëtare, ne kemi vendosur objektivin e 50 mijë anëtareve të rinj deri në kongresin e qershorit dhe besoj se me çfarë kemi parë dhe realizuar deri tani është një objektiv plotësisht i arritshëm, ndërkohë është edhe një domosdoshmëri përcjellja e mesazhit tek të gjithë komunitetet, tek të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që e kanë votuar ose jo Partinë Socialiste që është e domosdoshme të fuqizojmë Partinë Socialiste sepse është e vetmja e forcë politike në Shqipëri që ka alternative qeverisëse, që ka aftësi qeverisëse, që ka njëkohësisht edhe përgjegjësinë reale për ecurinë e procesit të anëtarësimit. Objektivi ynë strategjik është që Shqipëria 2030 të ngjitet në atë majë pa mundësi kthimi mbrapa që ne e kemi përcaktuar dhe kurora e kësaj maje është pa diskutim gatishmëria për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian.
– Disa ditë më parë ju folët për investimet e në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec. A mund të bëni transparencë përse nuk shpallet një tender ndërkombëtar duke qenë se keni vendosur të investoni aty, por vendosët persona, të cilët kanë influencë politike, lidhje politike?
Kryeministri Edi Rama: Ne nuk zgjedhim persona. Ne në bazë të legjislacionit shqiptar i referohemi ofertave dhe i referohemi propozimeve që bëhen. Transformimi – Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar është në ambicie e kahershme. Për hir të së vërtetës e kanë pasur edhe qeveritë, edhe paraardhës të mitë. Nuk është bërë ende realitet. Më parë ka qenë komplet e paimagjinueshme që të afroheshin investitor serioz në Shqipëri për të zhvilluar turizmin në një vend që ishte i damkosur si një vend i të gjitha të këqijave, sot Shqipëria është bërë një adresë gjithmonë e më e kërkuar jo vetëm nga turistët por edhe nga investitorët dhe ne jemi absolutisht të kënaqur që kemi një propozim, propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku duhet të kalojnë disa shkallë, është bërë një aplikim sipas ligjeve në fuqi në agjencinë tonë të investimeve të huaja AIDA do ta shqyrtojmë edhe nëse projekti puthet me vizionin tonë dhe me domosdoshmërinë e krijimit të një ekuilibri të domosdoshëm mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, duke e kthyer natyrën në aspektin kryesor të atij zhvillimi, atëherë do ecim përpara.
-A e keni menduar si do jetë kjo kontratë zoti kryeministër, a do jetë e ngjashme me atë të portit të Durrësit, ku falet toka, falen taksat apo si e keni menduar ta negocioni. Nëse mund të na bëni pak transparencë, duke qenë se ato janë tokat e shqiptarëve dhe jo tokat e familjes Rama
Kryeministri Edi Rama: Latinët kanë një shprehje: Ignorantia non est argumentum. Domethënë: padija nuk është argument. Për sa i përket zhvillimeve të sipërmarrjes bazuar tek investimet e huaja, të gjitha vendet pa përjashtim në këtë planet kanë legjislacione të favorizuara për të gjitha arsyet që dihen dhe përsa i përket zhvillimeve në sektorin e turizmit, jo vetëm që kanë legjislacione favorizuese, por është një garë e egër se kush i ka më favorizuese kushtet që të tërheqë investitorët seriozë, të mëdhenj me garanci të plota për cilësinë. Këtu nuk bëhet fjalë për të falur asgjë që është e shqiptarëve, përkundrazi edhe pse në parim për hir të së vërtetës, unë nuk kam qenë kundra as asaj Shqipërisë 1 Euro që ishte faktikisht nxjerrja në rrugë e të gjitha pasurive të shqiptarëve e për një euro po ta arrijmë me këtë logjikë që pjellë dhe këtë lloj pyetje, por ne sot jemi në kushtet kur shqiptarët janë pjesë e investimit në portin e Durrësit për shembull sepse aty përmes shtetit që është anksioner në atë zhvillim nuk është bërë asnjë falje sepse porti ka qenë, është dhe mbetet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, por është përfshirë dhe interesi i shqiptarëve në atë projekt.
-Nuk është bërë asnjë investim zoti kryeministër sepse në atë port madje tani ju do u merrni dhe 400 milionë të tjera shqiptarëve për të ndërtuar Porto Romanon për të cilin thoshit se do të bëhej me PPP.
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një tjetër idiotësi, e cila vjen nga ajo çfarë latinët e shprehin me fjalinë: Ignorantia non est argumentum. Domethënë padija nuk është argument. Sepse investimi ynë në portin e ri që do të jetë një aset i Shqipërisë dhe i shqiptarëve se do të investojmë ne, do të thotë që kemi zgjedhur mes dy alternativave. Alternatives që është një alternativë krejtësisht legjitime që e ndjekin shumë vende, të dhënies së ndërtimit një kompanie të huaj si investitorë dhe alternatives së hapjes së një tenderi kombëtar ku investitor është shteti, që do të thotë që pasi porti të ndërtohet, shqiptarët do të kenë shumë më tepër të ardhura nga ai port, sesa do të kishin nëse ai port do të ndërtohej nga privati dhe do të menaxhohej nga privati.
-Zoti Rama me kë nga opozita do t’i bashkoni votat për amnistinë penale dhe a ka hequr dorë qeveria nga amnistia fiskale dhe penale.
Kryeministri Edi Rama: Duhet t’i referoheni një deklarate të Ministrit të Drejtësisë në kohën kur dukej sikur ishte retorikë, por në fakt ajo është deklarata. Amnistia është në tryezën e Kuvendit dhe atë besoj unë do ta votojnë të gjithë sepse nuk kanë ku shkojnë pa votuar a e kupton? Se nuk është puna se do votojnë për PS, por do votojnë për një akt që historikisht Parlamenti e ka bërë pa ndarje partiake sepse është një akt që siç bëjnë të gjitha vendet e civilizuara krijon mundësi që shteti të ushtrojë edhe detyrimin kushtetues të lehtësimit të barrës së dënimit për të gjithë ata njerëz që meritojnë që të shfrytëzojnë këtë detyrim.
-Ka bërë një studim shteti sesa do fitojë nga kjo marrëveshje sepse ka shumë njerëz që ju akuzojnë që nuk është investim, por është një lobim?
Kryeministri Edi Rama: Unë jam mësuar me akuzat e njerëzve.
-A mund t’i thoni shqiptarëve sesa do fitojnë ata?
Kryeministri Edi Rama: Po ka mundësi të mos më ndërpresësh kur më bën pyetjen? Unë do dal konkretisht siç më thotë mua logjika se po dola unë konkretisht siç thotë logjika e atyre që përcjellin përmes teje pyetjen, i bie që nga një palë pa logjikë të bëhemi dy palë pa logjikë,kështu që juve e bëtë pyetjen tuaj. Tani më lejoni të jap unë përgjigjën time se është gjithmonë e njëjta histori me ju, e cila ka të bëjë me edukatën në fund të ditës dhe në fillim të ditës. Edukata duhet në fund të ditës dhe në fillim të ditës t’i bashkojë të gjithë njerëzit pavarësisht se mund të kenë komplet pozicione të ndryshme dhe pavarësisht se njëra palë mund të jetë pa logjikë siç mund të jetë rasti i palës tuaj dhe pala tjetër kërkon të arsyetojë.
-Ju lutem një shifër sa fitojnë shqiptarët?
Kryeministri Edi Rama: Shqiptarët nga gjithçka ne po bëjmë po fitojnë në këtë proces dhe do të fitojnë në këtë proces, çka nuk imagjinohej deri disa vite përpara sepse nxitja e këtyre zhvillimeve, realizimi i këtyre zhvillimeve pasuron shqiptarët, pasuron të gjithë shqiptarët, pasuron Shqipërinë, rrit ekonominë e Shqipërisë sepse turizmi është një industri, e cila stimulon zinxhirin e prodhimit sepse të huajte që vijnë të vizitojnë Shqipërinë për të pushuar, për të eksploruar, për të parë, konsumojnë këtu, konsumojnë çfarë prodhojnë bujqit dhe fermerët, konsumojnë çfarë iu ofrojnë të gjithë, ata të cilët janë në shërbim, konsumojnë të gjitha ato që gjithë zinxhiri i shërbimeve krijon. E nga ana tjetër Shqipëria sot për fatin e mirë të të gathëve dhe për fatin e keq të mendjeve të sëmura është komplet një vend tjetër. Sot ne diskutojmë për një projekt dhe për propozim që deri para disa vitesh do të ishte i paimagjinueshëm. Sot ne diskutojmë për ekselencën e turizmit botëror që kërkon të hyjë në Shqipëri, sot ne diskutojmë për t’u vendosur ..
– Ekselenca është një kompani është krijuar në vitin 2021, sepse zoti Kushner nuk ka eksperiencë në investime.
Kryeministri Edi Rama: Ignorantia non est argumentum.
– Ju lutem mund të na jepni në shifër sa do fitojnë shqiptaret sepse nuk na keni dhënë akoma një shifër? Ka bërë një studim shteti shqiptar sa do fitoni, një shifër iu lutem.
Kryeministri Edi Rama: Sot ne diskutojmë për një Shqipëri, e cila përmes këtyre zhvillimeve bëhet konkurruese e drejtpërdrejtë e atyre që janë luanët e Mesdheut që i kemi rreth e rrotull, që nga Kroacia, e Mali i Zi deri tek Greqia poshtë. Kështu që të tjerat pastaj janë muhabete kot. Se për të ardhur tani te përgjigja, flasim për një aplikim, të cilin ne do ta shqyrtojmë në një proces sipas ligjit dhe mbi të cilin ne do të negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në atë investim etj. Kurse ju flisni për dokrra hini.
– Kur ka lindur ideja e këtij projekti?
Kryeministri Edi Rama: Ideja e këtij projekti ka lindur përpara sesa unë të bëhesha kryeministër.
– Është përfolur për përfshirjen e Shefqet Kastratit në këtë projekt, keni biseduar me Richard Grenall për Sazanin apo jeni informuar nga AIDA.
Kryeministri Edi Rama: Shiko e di si është puna. Juve përflisni, pastaj flisni, pastaj vini dhe bëni pyetje? A thua se çfarë ju po flisni, janë fakte. Unë flas për fakte. Unë di fakte. Unë di që sot ne kemi në tavolinë një ofertë fantastike, me një potencial të jashtëzakonshëm të cilën do ta shqyrtojmë sipas ligjit dhe kur them sipas ligjit, them dhe këtë ne do ta shqyrtojmë si përfaqësuesit e denjë të popullit shqiptar që nuk negociojnë interesa personale, por negociojnë interesat e publikut në çdo hap, siç kemi bërë me portin e Durrësit, ku publiku sot është pjesë e atij investimi përmes aksioneve të shtetit shqiptar.