
– Një prej segmenteve më problematike dhe më të rrezikshme për banorët e zonës, Ura e Bardhajve, do t’i nënshtrohet së shpejti një rikonstruksioni të plotë, duke i dhënë fund një shqetësimi të kahershëm për komunitetin.
Bashkia Shkodër është shpallur fituese e një projekti të financuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në kuadër të programit “Emergjencat Civile 2026”. Projekti, i titulluar “Ndërhyrje Emergjente në rritjen e sigurisë për Urën e Bardhajve”, synon përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së kësaj infrastrukture të rëndësishme.
Sipas projektit, do të realizohen ndërhyrje për ndalimin e gërryerjes së shtratit pranë këmbëve të urës, si dhe përforcimi i strukturës mbajtëse, duke adresuar problematikat e krijuara nga amortizimi ndër vite.
Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së qarkullimit dhe garantimin e një infrastrukture më të sigurt e më funksionale për banorët që e përdorin urën çdo ditë.
Punimet pritet të nisin së shpejti, duke sjellë një zgjidhje afatgjatë për një nga pikat më problematike të zonës së Bardhajve.





