Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë arritur marrëveshje për emrin e kandidatit për President të Kosovës. Palët janë pajtuar për kandidaturën e Bekim Sejdiut. Marrëveshja është bërë e ditur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili deklaroi se dy partitë kanë zhvilluar takime të vazhdueshme që prej 9 korrikut, me fokus në stabilitetin institucional dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për të çuar përpara proceset në vend. Abdixhiku tha se negociatat nuk kanë qenë të lehta, por i cilësoi ato si diskutime intensive dhe shteruese. Sipas tij, të dyja palët kanë qenë të vendosura për të gjetur një zgjidhje. Në përfundim të bisedimeve, emri i propozuar për postin e Presidentit të Kosovës është Bekim Sejdiu.
Kush është Bekim Sejdiu?
Bekim Sejdiu është diplomat karriere dhe jurist, me përvojë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Ai ka shërbyer edhe si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke pasur një eksperiencë të rëndësishme në fushën juridike dhe institucionale. Në karrierën diplomatike, Sejdiu ka shërbyer si konsull në Ankara gjatë periudhës 2008–2012, në kuadër të angazhimeve të tij në shërbimin diplomatik.






