Të enjten e 3 shtatorit, kryeministri Edi Rama do të mbledh grupin e Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave.
Mbledhja, e cila do të ketë sërish në fokus ‘Besën’, do të mbahet në orën 10:00.
Ky takim vjen pas një serie mbledhjesh që nisën me retreat-in në Pogradec më 23-24 gusht.
Më 29 gusht, Rama zhvilloi mbledhje në Lundër edhe me deputetët dhe të deleguarit e Tiranës.
Më 28 gusht, axhenda përfshiu një takim me ministrat dhe drejtuesit e qarqeve në Vilën e Kuqe në Tiranë, ku në fokus ishte detajimi i programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, te hartimi i ndryshimeve ligjore për “PasqyrAlbania”.
Platforma “PasqyrAlbania” u prezantua në takimet dyditore me dyer të mbyllura në Pogradec ku Rama kërkoi që problematikat e qytetarëve të vendosen në qendër të axhendës. Platforma do të funksionojë me mekanizmat ‘Flamingo Albania’ dhe ‘Radar’ ku te njëra grumbullohen, kurse te tjetra ndiqen ankesat e qytetarëve.
Synimi është që problematikat të marrin përgjigje brenda dy javësh dhe qytetari të mund të shohë në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tij.






