Me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe për të hartuar një vizion të përbashkët për zhvillimin e turizmit, në Shkodër u organizua “Tryeza Rajonale mbi Perspektivat e Zhvillimit të Turizmit 2026”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve qendrore, vendore dhe sektorit privat. Kreu i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, vlerësoi rëndësinë e këtij takimi, duke theksuar se potenciali i jashtëzakonshëm natyror, kulturor dhe historik i qarkut kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, promovim profesional dhe investime të qëndrueshme për ta shndërruar Shkodrën në një destinacion konkurrues turistik gjatë gjithë vitit.
“Në cilësinë e kreut të qarkut Shkodër, me lejoni që në nisje të theksoi se është një kënaqësi që sot jemi mbledhur së bashku për të diskutuar mbi një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të rajonit tonë.
Shkodra është një ndër qarqet më të veçanta të Shqipërisë për nga pasuritë natyrore që ka dhe diversiteti që ofron, si në zhvillimin e turizmit detar, liqenor, atij alpin, historik dhe kulturor. Ndryshe nga cdo zonë tjetër e vendit, në pak kilometra ti gjen pasuri të çmuara turistike si Alpet Shqiptare, liqeni i Shkodres dhe Komanit, bregdetin e Velipojës, klimën kurative të Pukës, historitë e kulturën e vecantë të Malësisë së Madhe, Vau Dejësit, Pukës e Fushë Arrëzit.
Por turizmi sot nuk matet vetëm me numrin e turistëve që na vizitojnë, e që për fat të mirë nga viti në vit ato janë në rritje. Por ai matet me cilësinë e shërbimeve, me zhvillimin e ekonomisë lokale, me punësimin e të rinjve, me mbështetjen e fermerëve, artizanëve dhe sipërmarrësve, si dhe me ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë sonë.
Prandaj kjo tryezë nuk është thjesht një takim institucional, por e kam parë si një mundësi për të ndërtuar një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si duam ta zhvillojmë turizmin në vitet që vijnë.
Si Këshill i Qarkut Shkodër, ne besojmë se zhvillimi i turizmit kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes të gjitha bashkive të qarkut, institucioneve shtetërore, sektorit privat, universitetit, organizatave dhe vetë komunitetit. Askush nuk mund ta zhvillojë vetëm këtë sektor. Prandaj na nevojitet vullnet e dëshirë për të bashkuar energjitë, idetë dhe burimet tona, që të mund ta shndërrojmë Qarkun e Shkodrës në një destinacion konkurrues gjatë gjithë vitit. Sfida jonë është t’i lidhim këto pasuri në një ofertë të unifikuar rajonale, me infrastrukturë më të mirë, promovim më profesional dhe standarde gjithnjë e më të larta të shërbimit. Jam i bindur se diskutimet e sotme do të sjellin ide konkrete, rekomandime dhe partneritete të reja, të cilat do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për politikat tona në të ardhmen. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ju për praninë dhe kontributin tuaj dhe le ta shohim këtë takim si fillimin e një etape të re, ku secili prej nesh merr përgjegjësinë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit tonë. Le ta ndërtojmë së bashku një Shkodër që ruan historinë, promovon kulturën, vlerëson natyrën dhe krijon mundësi për brezat që do të vijnë, tha Ndou.






