Shqipëria ka një histori të pasur dhe të thellë fetare, ku katolicizmi ka luajtur një rol kyç në formimin e identitetit shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar. Në kuadër të Festës së Zojës së Ngritur në Qiell, Bazilika e “Nanës së Këshillit të Mirë”, Shkodër zgjodhi të promovojë kolanën e dytë të revistës kulturore Art dhe Trashëgimi, “Trashëgimia katolike e Shqipërisë”. Ky vëllim i dytë, i përbërë nga 220 faqe dhe i mbushur me studime akademike, dëshmi historike, dhe reflektime të thella, sjell një panoramë të plotë të ndikimit të katolicizmit në Shqipëri dhe përtej saj.
Me kontributin e 40 studiuesve dhe intelektualëve nga Shqipëria, Kosova, Diaspora dhe qendrat akademike evropiane, ky botim ofron një pasqyrë të pasur mbi trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të katolicizmit, duke u fokusuar tek aspekte të ndryshme si artet sakrale, letërsia e vjetër shqipe, figura të shenjta dhe urdhrat monastikë, si françeskanët dhe dominikanët.
Një nga temat më të rëndësishme të këtij botimi është ndriçimi i rolit të Kishës Katolike në formimin e identitetit kulturor dhe shpirtëror shqiptar. Kjo vepër shërben si një rikthim në rrënjët e traditave dhe besimeve që kanë ndikuar shumë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, duke përfshirë këtu ndikimin e kishës në arsimin, kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Ky botim nuk anashkalon as bashkëjetesën e fesë me atë që njihet si letërsia e vjetër shqipe, me Migjenin, Fishtën etj., por edhe pasurinë që ka në artet pamore. Libri është dygjuhësh, shqip dhe anglisht, dhe publikohet në kuadër të Vitit Jubilar të Shpresës, në përkujtim të 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë.






