Një 15-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali pas një aksidenti tragjik rrugor, teksa po udhëtonte me biçikletë. Manuel Korreshi u përplas nga një automjet në orët e para të mëngjesit, ndërsa për shkak të plagëve të rënda ndërroi jetë në spitalin San Bortolo në Vicenza.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 01:00, gjatë natës mes së shtunës dhe të dielës, në rrugën provinciale 247, e njohur si Riviera Berica, pranë rrethrrotullimit në hyrje të Ponte di Barbarano. Sipas raportimeve të mediave italiane, përplasja ishte e fortë dhe i mituri përfundoi në kanalin anësor të rrugës. Drejtuesi i automjetit ndaloi menjëherë dhe njoftoi ekipet e emergjencës.
15-vjeçari mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe, për shkak të gjendjes së rëndë, u intubua dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit San Bortolo. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, pas rreth një dite në terapi intensive pediatrike, Manueli humbi jetën pak para orës 20:00.
Drejtuesi i automjetit, një banor i Vicenzës, u tha hetuesve se nuk kishte arritur ta dallonte biçiklistin për shkak të errësirës. “Ishte shumë errët. Nuk e pashë. Papritur e gjeta përpara meje”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Manuel Korreshi jetonte me nënën e tij në zonën Castegnero-Nanto dhe ishte nxënës në Institutin Lampertico në Vicenza. Ai ishte gjithashtu i apasionuar pas futbollit dhe luante me klubin Este. Vdekja e tij ka shkaktuar dhimbje te familjarët, miqtë dhe bashkëlojtarët, të cilët e kanë përcjellë me një mesazh prekës: “Fluturo lart, sulmues.”






