16 ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u dërguan për gjykim nga SPAK për shkelje të rënda me tenderat publikë që i kanë shkaktuar shtetit një dëm rreth 34 milionë lekë dëm.

Mes tyre bën pjesë edhe ish-numri dy i kësaj ministrie, Plarent Ndreca, që e ka mbajtur këtë post gjatë 2019.

Sipas SPAK ata në bashkëpunim kanë favorizuar në procedurat e prokurimit disa operatorë të caktuar ekonomikë.

Ndreca në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, dyshohet se ka përfituar nga tenderi i rikonstruksionit të katër komisariateve në vend.

SPAK: Kontrata e prokurimit publik “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Prokurorisë së Shtetit” kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) për katër objekte policore, por në fakt përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte policore me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë, kjo për shkak se Ministria e Brendshme nuk e kishte të plotë fondin, por për të favorizuar fituesin e lidhi kontratën vetëm për dy objekte, aq sa ishin fondet në dispozicion.

Deputeti Plarent Ndreca u kallëzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që pas auditimit të bërë, konstatoi fryrje të kostos reale të prokurimit publik, që përfshinte komisariatin e Mirëditës, komisariatin  nr.4 të kryeqytetit, atë të Vlorës e Pogradecit.

SPAK: Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr ex officio nga Plarent Ndreca, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qënë Titullari i Autoritetit Kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.

Për gjyq u dërguan edhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu