Një incident është regjistruar brenda Policisë së Shtetit, ku ish-drejtuesi i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, është përfshirë në një konflikt verbal me përfaqësues të Drejtorisë së Standardeve, çka ka çuar në pezullimin e tij nga detyra dhe nisjen e hetimit disiplinore.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur Drejtoria e Personelit i ka komunikuar Berberit fillimin e procedurës disiplinore ndaj tij. Gjatë këtij komunikimi, ai dyshohet se ka reaguar në mënyrë të ashpër, duke fyer dhe ofenduar përfaqësuesen e institucionit dhe duke bërë edhe kërcënime verbale.
Më pas Berberi ka vijuar me fjalë fyese ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, çka ka rënduar më tej situatën dhe ka sjellë ndërhyrjen institucionale.
Për shkak të këtyre veprimeve, është vendosur pezullimi i tij nga funksioni dhe nisja e procedurave disiplinore përkatëse.
Gentian Berberi më herët ka shërbyer si shef i Policisë së Shkodrës, ndërsa largimi i tij nga kjo detyrë erdhi pas zhvillimeve hetimore të lidhura me zbulimin e parcelave me lëndë narkotike dhe nisjen e hetimeve ndaj disa zyrtarëve të policisë.
Më pas, ai ishte emëruar në një pozicion tjetër si shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit./ Burimi nga vna.al






