Rasti i publikuar në emisionin “Stop”, këtë të martë, më 9 qershor, lidhet me një studente të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ajo pretendon se është dhunuar nga sekretarja mësimore Malvina Hallunaj, gjatë një konflikti, që lindi për vonesën në dorëzimin e diplomës.
Sipas studentes, pas disa paraqitjeve në sekretari, për të tërhequr diplomën, më 4 qershor situata degradoi në përplasje fizike brenda ambienteve të fakultetit, ku ajo pretendon, se sekretarja e goditi dhe e kapi nga fyti.
Nga ana e saj, sekretarja thotë, se ishte studentja ajo, që e sulmoi, duke e goditur me një rezervë stilolapsi dhe duke dëmtuar dokumentet në zyrë.
Pas ngjarjes, dekania e Fakultetit të Drejtësisë Paulina Hoti, ka kërkuar largimin nga puna të sekretares.
Nga ana tjetër Rektori i Universitetit Tonin Gjuraj, është takuar me studenten dhe ka premtuar shqyrtimin e incidentit. Sipas informacioneve zyrtare, ndaj sekretares është marrë masa disiplinore “paralajmërim për largim nga puna”.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës ka nisur hetimet pas kallëzimit të studentes. Sekretarja është proceduar për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, ndërsa janë administruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së universitetit. Vendimi përfundimtar mbi përgjegjësitë do t’i takojë Prokurorisë së Shkodrës./ tv klan






