Ballina Aktualitet Shuhet mjeshtri i lahutës, Jonuz Delaj mbyll sytë në moshën 75-vjeçare

Shuhet mjeshtri i lahutës, Jonuz Delaj mbyll sytë në moshën 75-vjeçare

Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare lahutari i njohur i Malësisë së Madhe, Jonuz Delaj, një prej figurave më përfaqësuese të rapsodisë shqiptare dhe trashëgimisë kulturore kombëtare.

I lindur më 24 prill 1950 në Nikç të Kelmendit, Delaj i kushtoi mbi 60 vite të jetës së tij lahutës dhe këngës epike shqiptare. Ai e nisi rrugëtimin artistik që në moshë të vogël, duke trashëguar lahutën nga familja dhe duke u rritur mes traditave të forta të Malësisë.

Gjatë gjithë karrierës së tij, ai i këndoi historisë së Malësisë së Madhe, figurave heroike dhe ngjarjeve që kanë formësuar identitetin shqiptar. I frymëzuar nga Gjergj Fishta dhe vepra “Lahuta e Malësisë”, Delaj u bë një ndër ruajtësit më të përkushtuar të Ciklit të Kreshnikëve, duke u vlerësuar gjerësisht si një “profesor” i lahutës.

Ai ishte autor dhe interpretues i qindra këngëve kushtuar figurave historike si Oso Kuka, Isa Boletini, Ali Pashë Gucia dhe Prek Cali, duke sjellë nëpërmjet lahutës historinë dhe krenarinë e trevës së tij.

Jonuz Delaj ka marrë pjesë në festivale të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, nga Ohri në Venecia, duke promovuar kulturën shqiptare në skena të ndryshme të botës.

Një nga kontributet më të rëndësishme të tij ishte angazhimi për përfshirjen e lahutës në UNESCO, një arritje që u konkretizua në dhjetor të vitit 2025.

Me ndarjen nga jeta të tij, Shqipëria humb një nga zërat më autentikë të traditës, një ikonë të lahutës që i këndoi historisë deri në fund. Së fundmi, ai vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila i mori jetën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks