Ballina Politike Shqipëria një hap larg BE-së, Rama: Jemi në fazën e fundit të...

Shqipëria një hap larg BE-së, Rama: Jemi në fazën e fundit të negociatave

Kryeministri Edi Rama komentoi në podkastin e tij “Flasim” mëngjesin e kësaj të diele, më 31 maj, të gjitha zhvillimet e javës së fundit. Fillimisht ai u ndal te konferenca ndërqeveritare e 26 majit, datë që sipas tij shënon një pikë kthese për vendin. Sipas Ramës, tanimë Shqipëria ka përfunduar fazën e hapjes së kapitujve të negociatave dhe ka nisur zyrtarisht procesin e mbylljes së tyre.

Sipas Ramës, ky është niveli më i lartë i arritur ndonjëherë nga Shqipëria në procesin e integrimit europian dhe një dëshmi e reformave të thella të ndërmarra gjatë dekadës së fundit.

“Javën që lamë pas, pikërisht më 26 maj, si për një ironi apo buzëqeshje të fatit, 30 vjet pas 26 majit të dhunës, të përgjakjes së opozitës, të grabitjes së votave dhe të vulosjes së një sundimi autokratik me tipare diktatoriale në Shqipëri, erdhëm në ditën kur Shqipëria hyri në fazën e re dhe të fundit të rrugëtimit të saj europian, duke mbyllur fazën e çeljes së kapitujve të negociatave dhe duke hapur fazën e mbylljes së tyre.

Pra, më 26 maj, Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë ndonjëherë në këtë të përpjetë të mundimshme historike dhe tanimë maja ku do të ngjitemi së bashku dhe do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit, duke i dhënë kuptim dhe duke i dhënë sens të plotë një historie të stërgjatë ëndërrimi për Bashkimin Europian sot, por për atë që ishte hapësira e diellit që lind andej nga perëndon deri dje, është më afër se asnjëherë.

Është një moment jashtëzakonisht kuptimplotë i kësaj rruge drejt anëtarësimit dhe është, në të njëjtën kohë, edhe një certifikim absolut i një pune të palodhur të një kohe të gjatë”, tha Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks