Departamenti për Kufirin dhe Migracionin.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Goditen nga Policia Kufitare e Rinasit, 2 raste të kontrabandës së mallrave dhe 1 rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen veshje të ndryshme dhe 17 420 paund.
Nga Policia Kufitare në Portin e Durrësit janë goditur 2 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit.
-Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, gjatë përpunimit të dokumentacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për kontroll më të detajuar në vijën e dytë, bagazhet e shtetaseve Xh. S. dhe D. Sh., në të cilat u gjetën veshje të padeklaruara në Degën e Doganës Rinas, me vlerë 12 840 euro.
Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe nisi procedimi penal për shtetaset Xh. S. dhe D. Sh., për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
-Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas është goditur një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasin D. H., të cilit i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 420 paund, të cilat ai nuk i kishte deklaruar.
Në përfundim të veprimeve, materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesore Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë” dhe nisi procedimi penal për shtetasin D. H.
-Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan në dalje shtetasit Z. A., 42 vjeç, banues në Baghdad, i cili tentoi të kalonte kufirin, me një dokument të falsifikuar, si dhe shtetasin A. B., 27 vjeç, banues në Turqi, i cili tentoi të kalonte kufirin, me dokumentin e një shtetasi tjetër, me të cilin kishte ngjashmëri.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financar të DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i shtetasit Z. A., 42 vjeç, banues në Baghdad, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. B., 27 vjeç, banues në Turqi.
Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Policitë vendore, do të vijojë kontrollet e imtësishme, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.