Ballina Kronike Punojnë në Shqipëri, por humbin jetën në rrugë, 4 të huaj të...

Punojnë në Shqipëri, por humbin jetën në rrugë, 4 të huaj të vdekur dhe 19 të plagosur gjatë 2026

Aksidentet rrugore në Shqipëri po marrin jetë edhe mes shtetasve të huaj që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë. Vetëm gjatë vitit 2026 janë regjistruar 8 aksidente me përfshirjen e tyre, ku 4 persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur. Ngjarja e fundit në aksin Orikum–Llogara rikthen vëmendjen te bilanci tragjik i aksidenteve rrugore që kanë prekur edhe komunitetin e punëtorëve të huaj.

Punojnë në Shqipëri, por në rrugët e vendit po përballen edhe me rrezikun e aksidenteve tragjike. Përplasjet automobilistike kanë marrë jetë dhe kanë lënë dhjetëra të plagosur mes shtetasve të huaj që jetojnë e punojnë në vendin tonë.

Ngjarja më e fundit u regjistrua mëngjesin e kësaj të premteje, në Fushë-Dukat, në aksin Orikum–Llogara. Një përplasje mes një automjeti Ford dhe një Renault-i i mori jetën 62-vjeçarit Xhevair Xhelili, ndërsa mbetën të plagosur dy shtetas egjiptianë, 36 dhe rreth 40 vjeç, drejtuesi dhe pasagjeri i Renault-it.

Por pasojat fatale të aksidenteve nuk kanë munguar as në muajt e mëparshëm.

Më 1 tetor, në Larushk të Fushë-Krujës, një 23-vjeçar egjiptian humbi jetën, pasi automjeti Audi, në të cilin udhëtonte si pasagjer, u përfshi në një aksident me një Volkswagen.

Më 22 korrik, në rreth-rrotullimin e TEG-ut, një aksident i rëndë përfundoi me dy viktima egjiptianë. Betoniereja me të cilën udhëtonin u përplas me një Audi, çau barrierat mbrojtëse dhe ra nga mbikalimi. Dy punëtorët, 30 dhe 44 vjeç, humbën jetën.

Të dhënat e siguruara për vitin 2026 flasin për një bilanc shqetësues, 8 aksidente me përfshirjen e shtetasve të huaj, 4 persona të vdekur dhe 19 të plagosur.

Shifra që tregojnë se pasojat e aksidenteve rrugore nuk kursejnë as ata që kanë ardhur në Shqipëri për të punuar dhe për të ndërtuar jetën e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks