Ministrja e Arsimit ka bërë të ditur se punimet për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër po avancojnë me ritme të mira dhe objekti pritet të jetë gati për të pritur nxënësit me nisjen e vitit të ri shkollor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja e cilësoi projektin si një investim të rëndësishëm jo vetëm për arsimin, por edhe për vetë qytetin e Shkodrës, duke e përshkruar si një vepër me vlera funksionale dhe arkitekturore.
Sipas saj, shkolla e re është një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Shkodër, i shumëpritur nga nxënësit, mësuesit dhe komuniteti. Ajo theksoi se synimi është që fëmijët të zhvillojnë mësimin në ambiente bashkëkohore, të sigurta dhe funksionale.
Objekti i ri pritet të zëvendësojë infrastrukturën ekzistuese, duke u ofruar nxënësve kushte më të mira për procesin mësimor dhe aktivitete të tjera edukative.






