Primaret në Shkodër ende nuk e kanë zyrtarisht kandidatin e parë të regjistruar, edhe pse publikisht i pari që ka pranuar se do t’i nënshtrohet kësaj gare ka qënë kryetari në detyrë i bashkisë Bardh Spahia. Burime për newspower.al bëjnë me dije se janë disa emra që po diskutohen në mbledhjet e kryesisë që ka zhvilluar PD e Shkodrës, ku deri javën e ardhshme do të zyrtarizohen emrat e parë. Nga të njëjtat burime saktësohet se ka të propozuar të kryesisë dhe vetshpallur kandidat. Emrat më të lakuar janë një nga nënkryetarët e partisë demokratike Arben Lushaj, anëtari i kryesise Ervin Gjini, ish nënkryetarja e PD Irena Shestani, por edhe emra të tjerë të cilët kanë qënë më pak të ekspozuar në betejat e fundit politike, që pas përçarjes që pësoi kjo forcë politike raporton newspower.al. Nuk përjashtohen edhe emra të tjerë që mund të dalin në skenë deri në minutat e fundit të afatit për të dorëzuar formularët e aplikimit. Megjithatë gara mund të marrë kthesa edhe më të forta nëse ndonjë nga deputetet aktual vendos të garojë, duke ndjekur shembullin e Zef Hiles në Vau Dejës, apo siç përflitet se mund të ndodhë në Malësi të Madhe me Ramadan Likën. Gjithsesi primaret janë një risi për politikën shqiptare dhe PD po teston edhe veten e saj për herë të dytë pas 6 Marsit, ku u aplikua së pari ky model. Shkodra pritet të mos ketë surpriza të mëdha ndryshe nga qarqet e tjera politike në garën për 14 Majin 2023.






