Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar gjatë gjithë muajit prill prezencën 24/7 në terren, duke ushtruar kontrolle të pandërprera dhe duke zhvilluar një punë intensive hetimore me synim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Si rezultat i kësaj veprimtarie, janë finalizuar në total 90 operacione policore, ndër të cilat 13 kanë pasur në fokus lokalizimin, kapjen dhe/ose ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë këtij muaji janë arrestuar 571 shtetas të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Policia ka bërë të mundur zbardhjen e 14 ngjarjeve kriminale, ndërkohë që në 17 raste janë parandaluar ngjarje të mundshme kriminale. Në kuadër të goditjes së armëmbajtjes pa leje, janë sekuestruar 33 armë zjarri, 5 armë gjahu dhe sportive, si dhe një sërë mjetesh të tjera të rrezikshme, përfshirë silenciator, granata, municion luftarak dhe lëndë eksplozive. Në luftën kundër narkotikëve, janë sekuestruar rreth 10 kilogramë kanabis, mbi 2000 fara kanabisi, 1.5 kilogramë kokainë dhe tableta MDMA, ndërsa janë asgjësuar edhe një numër i konsiderueshëm fidanësh narkotikë. Strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë goditur 15 raste që përfshijnë mashtrime kompjuterike (call center), kontrabandë mallrash, falsifikim dokumentesh dhe veprimtari informale. Po ashtu, janë finalizuar 13 operacione për zbardhjen e vjedhjeve dhe 12 operacione kundër shfrytëzimit për prostitucion, si dhe 2 operacione kundër transportimit të emigrantëve që synojnë kalimin ilegal drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Gjatë muajit prill janë evidentuar edhe 23 ambiente ku ushtroheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë, janë goditur 156 raste të ndërtimeve pa leje dhe 3 raste të ndotjes së ajrit. Policia Rrugore ka arrestuar 304 drejtues mjetesh, nga të cilët 170 për drejtim në gjendje të dehur dhe 134 pa leje drejtimi, ndërsa janë vendosur gjithsej 93 645 masa administrative. Nga ana tjetër, Policia Kufitare ka evidentuar dhe goditur 40 raste të kalimit ose tentativës për kalim të paligjshëm të kufijve, 5 raste të përdorimit të dokumenteve false, 13 raste të trafiqeve të paligjshme dhe 5 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Strukturat e Policisë së Shtetit bëjnë me dije se kontrollet dhe hetimet intensive do të vijojnë, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë, me fokus të veçantë në parandalimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit, krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti, si dhe në kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.






