Policia e Shtetit
Masa të shtuara gjatë fundjavës, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Makinat inteligjente dhe radarët automatikë vijojnë të monitorojnë qarkullimin rrugor në të gjithë territorin e vendit, duke evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të cilët krahas shpejtësisë, qarkullojnë edhe pa vendosur rripin e sigurimit apo duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Gjatë monitorimeve të zhvilluara në 24 orët e fundit, janë pezulluar 52 leje drejtimi, nga të cilat: 10 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit, 42 për shpejtësi deri në 40 deri në 60 km/h mbi normën e lejuar, në akset rrugore Tiranë – Durrës – Fier – Vlorë.
Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar 1950 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Janë arrestuar 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Duke marrë parasysh se fluksi i lëvizjeve është më i lartë në fundjavë, kryesisht në akset rrugore nacionale, si dhe nga shkeljet e konstatuara nga mjetet inteligjente, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë.
Në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet dhe monitorimet intensive duke përdorur makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, kamera, aparate fotografike, alkooltestues, dhe mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.