Ballina Analiza dhe Komente Policë me turne 12-orëshe në verë: Shteti shqiptar në shkelje të hapur...

Policë me turne 12-orëshe në verë: Shteti shqiptar në shkelje të hapur të Kodit të Punës /Në vendet e BE reduktojnë orët dhe rrisin standardet, qeveria shqiptare zgjedh mbingarkesën e efektivëve

Me afrimin e sezonit turistik veror, qeveria shqiptare ka vendosur që edhe këtë vit, efektivët e Policisë së Shtetit të kalojnë në shërbime 12-orëshe gjatë muajve korrik dhe gusht, një praktikë që ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e të drejtave të punës dhe standardeve europiane të trajtimit të punonjësve të policisë.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi publikisht se:
“ Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka planifikuar shtim të pranisë policore në zonat turistike, në plazhe dhe në destinacionet malore, si dhe organizimin e patrullimeve të dedikuara dhe shërbimeve 12-orëshe gjatë periudhës 1 korrik – 31 gusht 2026.”

Por ky vendim po konsiderohet nga ekspertë të marrëdhënieve të punës dhe nga vetë efektivët si një precedent problematik, që bie ndesh me frymën e Kodit të Punës në Shqipëri dhe standardet e mbrojtjes së punëmarrësve. Kodi i Punës parashikon qartë kufizime mbi kohëzgjatjen e punës dhe detyrimin për pushim të mjaftueshëm mes turneve, ndërsa puna jashtë orarit duhet të jetë e jashtëzakonshme dhe e kompensuar sipas ligjit. Në praktikë, efektivët e policisë ankohen prej vitesh për orë të tejzgjatura, mungesë pushimesh dhe ngarkesë fizike e psikologjike, sidomos gjatë sezonit turistik.

Ndërkohë, në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, turnet e zgjatura 12-orëshe përdoren vetëm në raste emergjencash të jashtëzakonshme dhe jo si praktikë rutinë dy mujore për të mbuluar mungesat strukturore të personelit. Sindikatat europiane të policisë kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin se lodhja e efektivëve ndikon drejtpërdrejt në sigurinë publike, rritjen e gabimeve operacionale dhe uljen e eficiencës në terren. Kritikët e këtij vendimi thonë se shteti shqiptar po zgjedh zgjidhjen më të lehtë: të mbingarkojë policët ekzistues, në vend që të investojë në shtim personeli, planifikim afatgjatë dhe përmirësim të kushteve të punës.

Në kulmin e sezonit turistik, kur Shqipëria synon të prezantohet si një vend europian dhe mikpritës për turistët, paradoksi mbetet i fortë: siguria e vizitorëve kërkohet të garantohet duke rënduar më tej kushtet e punës së vetë punonjësve të sigurisë. Efektivët e policisë do të jenë për dy muaj në terren me turne të gjata, nën temperatura të larta dhe me presion të shtuar operacional, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë transparencë mbi mënyrën e kompensimit, respektimin e pushimeve apo garancitë për mbrojtjen e tyre ligjore dhe fizike. Një shtet që kërkon standarde europiane nuk mund të funksionojë me masa që, sipas ekspertëve të punës, do të ishin të papranueshme në shumë vende të Bashkimit Evropian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks