Ballina Kulture “Përtej murit, Nëna e Këshillit të Mirë”, filmi dokumentar prezantohet në Festivalin...

“Përtej murit, Nëna e Këshillit të Mirë”, filmi dokumentar prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar te Filmit në Venezia!

Vepra, me ide dhe regji të Gjon Kolndrekajt, skenar të Pal Kolndrekajt dhe prodhim të CrossinMedia, në bashkëpunim me Rai Documentari, sjell një histori gati gjashtë shekullore, që nis në Shkodër dhe vijon deri në ditët e sotme. Një rrëfim që bashkon historinë, besimin, kujtesën dhe identitetin shqiptar, përmes historisë së figurës së Nënës së Këshillit të Mirë.

Dokumentari e nis udhëtimin e tij në vitin 1467, në periudhën e pushtimit osman të Shqipërisë, duke ndjekur historinë e figurës së Nënës së Këshillit të Mirë dhe lidhjen tradicionale mes Shkodrës dhe Genazzanos. Por “Përtej Murit” nuk është vetëm një rrëfim mbi historinë fetare. Është një histori njerëzore që përfshin luftërat, pushtimet, emigracionin, persekutimin dhe diktaturën, por edhe forcën e njerëzve për të ruajtur identitetin dhe lidhjen me rrënjët.

Imzot Francesco Moraglia – Patriark i Venecias

(Titulli “Përtej murit” është shumë domethënës, sepse nënkupton përtej ndarjeve, përtej dhunës, përtej moskuptimit. Dhe kështu ka vendosur vërtet popullin shqiptar, historinë e këtij populli të vogël, në qendër të një reflektimi që, përmes ekspozitës dhe kinemasë, sigurisht është i destinuar të flasë për Shqipërinë, për identitetin e saj dhe për rrënjët e saj, duke ndihmuar për të kuptuar madhështinë e këtij vendi të vogël. Është gjithashtu një mesazh për kohët që po kalojmë, përtej mureve që po përjetojmë në përgjithësi. Për qytetarët e këtyre vendeve. Në një kohë kur sot është e vështirë të gjesh dialog, një popull e rigjen veten duke parë në të njëjtin drejtim. Dhe nga çfarë ndriçohet ky drejtim? Nga Nëna e Këshillit të Mirë. E dimë se Ballkani, siç na tregon historia e shekullit XX, ka qenë gjithmonë një pikë jashtëzakonisht delikate ekuilibrash. Dhe nëse paqja nuk rigjenerohet në ato vende, është e vështirë të mendosh për një paqe ndërkombëtare).

Një pjesë e rëndësishme e dokumentarit i kushtohet periudhës së komunizmit në Shqipëri dhe veçanërisht ateizmit shtetëror dhe represionit ndaj besimit fetar. Por, pavarësisht represionit, kujtesa mbijetoi.

Giovanni Peragine – arqipeshkëv i Shkodrës

(Vetëm dy fjalë për sa i përket marrëdhënies midis popullit shqiptar dhe Zojës së Këshillit të Mirë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një përkushtim fetar. Kjo marrëdhënie tregon diçka më shumë,: tregon një histori, tregon një traditë dhe, mbi të gjitha, tregon një identitet. Zoja e Këshillit të Mirë, për shqiptarët, është pjesë e identitetit të tyre, sidomos e identitetit kulturor dhe fetar, që e ka shoqëruar këtë popull gjatë gjithë historisë së tij, duke filluar nga pushtimet, nga luftërat, nga përndjekjet, por edhe në rikthimin dhe kthimin te feja, në përpjekjen për të rimarrë atë që humbi gjatë 50 viteve të ateizmit dhe komunizmit, një periudhë ateizmi në të cilën përndjekja kishte ndaluar çdo formë të besimit fetar).

Dom Artur Jaku – rektor i bazilikës “Nëna e Këshillit të Mirë”

(Mendoj se ju e dini që Shqipëria ka vuajtur komunizmin, një nga përndjekjet më të tmerrshme që Evropa, ndoshta edhe bota, ka parë ndonjëherë. Por, pavarësisht kësaj, ata që e njohin mirë Shqipërinë dhe shqiptarët e dinë se shqiptarët nuk kanë reshtur kurrë së besuari dhe së mbajturi në zemër Virgjëreshën Mari. Nëse gjatë komunizmit mbaje në shtëpi një imazh të shenjtë ose një kryq, arrestoheshe dhe madje mund të pushkatoheshe. Shqiptarët e ruajtën gjithçka, edhe fshehurazi, edhe imazhin e Zonjës së Bekuar, sepse pikërisht ky imazh ishte mesazh shprese e besimi).

Pamjet arkivore ndërthuren me dëshmi bashkëkohore dhe histori personale të njerëzve që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre, të përballen me diktaturën apo të rindërtojnë jetën larg atdheut. Një histori që nis në të shkuarën, por që lidhet drejtpërdrejt me realitetin e sotëm.

Luigi Del Plavignano – Drejtor i Rai Documentari

(Ne, si RAI, jemi të lumtur që u sjellim në vëmendje shikuesve tanë këtë vepër, e cila është pjesë e identitetit tonë, e identitetit të popujve, qofshin italianë, shqiptarë apo të kombësive të tjera. Për shqiptarët, RAI ka qenë për vite me radhë një pikë referimi, veçanërisht gjatë periudhës së komunizmit, kur në Shqipëri ishte pothuajse e pamundur të flitej për Evropën apo të shihej Evropa. Prandaj, RAI ishte i vetmi transmetim që përbënte atë lidhje të rëndësishme me Evropën. Dhe besoj se edhe për ju sot do të jetë një pikë referimi për programet që transmeton në gjuhën shqipe, sepse e dini që tashmë kemi transmetime për shqiptarët. Për ne është gjithashtu e rëndësishme që sot Shqipëria është një vend tjetër. Është një vend ku, veçanërisht italianët, vijnë për të kaluar pushimet, për të kaluar momente çlodhjeje, për të vizituar qytetet tuaja, kishat tuaja dhe për të njohur edhe kulturën tuaj).

“Përtej Murit – Nëna e Këshillit të Mirë” është një urë simbolike mes Shqipërisë dhe Italisë, Shkodrës dhe Genazzanos, së shkuarës dhe së ardhmes. Sepse muret mund të ndajnë njerëzit dhe territoret, por nuk mund të fshijnë atë që vazhdon të jetojë në kujtesë. Një kujtesë që, përmes këtij dokumentari, mbërrin nga Shkodra në Venecia dhe tashmë i drejtohet një audience ndërkombëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks