Ballina Aktualitet Për herë të parë bujqësi e siguruar! / Skemë sipas modelit turk,...

Për herë të parë bujqësi e siguruar! / Skemë sipas modelit turk, shteti subvencionon fermerët për përmbytje e ngrica deri në 50%

Qeveria po finalizon skemën e sigurimit në bujqësi, ku pritet të subvencionojë një pjesë të primit për mbrojtjen e fermerëve nga fatkeqësitë natyrore. Skema synon të ulë dëmet në bujqësi nga përmbytjet apo zjarret dhe të lehtësojë aksesin e fermerëve në kredi. Një stuhi, një breshër, një ngricë apo një zjarr mund t’i fshijë fermerit punën dhe të ardhurat e një viti të tërë. Për t’i dhënë fund kësaj pasigurie, qeveria po përgatit një skemë të re sigurimi në bujqësi, ku shteti do të marrë përsipër një pjesë të kostos së sigurimit ndaj fatkeqësive natyrore. Që prej vitit 2024 qeveria po punon për skemën e sigurimit të mbjellave, bazuar në modelin turk, i cili përfshin edhe subvencione nga shteti, dhe sipas ministrit të Bujqësisë Andis Salla, gjithçka është drejt fazës përfundimtare. Edhe pse skema nuk është finalizuar, qeveria po diskuton opsionet që ka skema turke e quajtur ‘TARSIM’ e cila parashikon mbulim deri 50% të primit të sigurimit. Për shembull, nëse një fermer duhet të paguajë 100 mijë lekë për të siguruar prodhimin e tij, 50 mijë lekë mund t’i mbulojë shteti, ndërsa pjesën tjetër fermeri. Po ashtu skema turke parashikon që 2/3 e primit të sigurimit për frutat që dëmtohen në rast ngricash mbulohet nga shteti. Aktualisht sigurimi i sektorit bujqësor është thuajse jo-ekzistent, duke bërë që në raste stuhish apo përmbytjesh fermerët të humbasin të gjithë mundin e tyre. Po ashtu mungesa e një skeme sigurimi për bujqësinë, ka vështirësuar edhe aksesin në financë të fermerëve. Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga janari deri në fund të korrikut bankat kanë dhënë për sektorin e bujqësisë 14.9 milionë euro kredi, në rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u aprovuan 12.1 milionë euro hua për sektorin kryesor të ekonomisë.

KREDIA PËR BUJQËSINË

Viti 2025                         28.6 mln euro

Janar-Korrik 2025         12.1 mln euro

Janar-Korrik 2026         14.9 mln euro

Për shkak se sektori bujqësor është i ekspozuar direkt ndaj fatkeqësive natyrore edhe bankat tregohen strikte në kredidhënie, qeveria ka vënë në dispozicion një garanci sovrane 5 miliardë lekë, që iu mundëson fermerëve të aplikojnë për kredi me normë interesi të butë dhe ku shteti del garant për 70% të vlerës së huasë që kërkohet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks