Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar se do të mbledhë Kuvendin Kombëtar më 30 maj 2026, në orën 11:00. Vendimi është bërë publik nga Zyra e Medias dhe Komunikimit të partisë.
Sipas njoftimit, mbledhja vjen në zbatim të statutit dhe synon të trajtojë çështjet kryesore politike në vend.
Në rendin e ditës janë parashikuar diskutime për situatën aktuale politike, procesin e integrimit evropian dhe problematika që lidhen me funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Një nga pikat kryesore pritet të jetë përcaktimi i drejtimit politik që partia do të ndjekë në vijim. Gjithashtu, grupet e punës do të paraqesin propozime për ndryshime në statut, të cilat do të diskutohen dhe hidhen për miratim gjatë Kuvendit.
Në axhendë janë përfshirë edhe nisma për modernizimin e partisë, si dixhitalizimi i strukturave, riorganizimi i tyre dhe zgjerimi në diasporë.
Gjatë punimeve do të zhvillohet edhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.






