Ballina Aktualitet Pas dorëheqjes nga drejtimi i universitetit “Luigj Gurakuqi”, prof.Dr Tonin Gjuraj mesazh...

Pas dorëheqjes nga drejtimi i universitetit “Luigj Gurakuqi”, prof.Dr Tonin Gjuraj mesazh lamtumire: Kam keqardhje që projekti im për Universitetin nuk vijoi deri në fund

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkodrës,
Të nderuar kolege dhe kolegë,
Të dashura studente dhe studentë,
Të nderuar punonjës të administratës,
Të respektuar bashkëpunëtorë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”,
Në këtë moment të rëndësishëm, pas dorëheqjes sime të parevokueshme nga detyra e Rektorit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë ata që, me besim, mbështetje dhe mirëkuptim, kanë qenë pranë Universitetit dhe pranë meje gjatë kësaj periudhe gati dyvjeçare.
Falënderoj qytetarët e Shkodrës për vëmendjen, ndjeshmërinë dhe mbështetjen e treguar ndaj një institucioni që i përket jo vetëm komunitetit akademik, por edhe qytetit e më gjerë. Falënderoj stafin akademik dhe administrativ, studentet dhe studentët, si dhe çdo bashkëpunëtor që besoi se Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mund të ecë përpara me më shumë përgjegjësi, dinjitet dhe hapje ndaj së ardhmes.
Kam keqardhje që projekti im për Universitetin nuk mundi të vijojë deri në fund. Megjithatë, e kuptoj se çdo përpjekje për ndryshim ndeshet edhe me hezitime, rezistencë apo mospajtime. Kjo është normale në një shoqëri të lirë dhe të hapur.
I respektoj ata që menduan ndryshe. Madje, edhe ndaj atyre që, në rrugën e përballjes, zgjodhën fjalën e rëndë, shpifjen apo fabrikimin, dua të shpreh sot, qetësisht, faljen dhe paqen time. Për mua, mbi gjithçka mbetet Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Tani është e rëndësishme që energjitë tona të bashkohen për të mirën e institucionit. Le të mbështesim drejtimin e ri, Prof. Dr. Blerta Dragusha dhe ekipin e saj, me shpresën dhe përgjegjësinë që viti akademik 2026–2027 të jetë i mbarë, i qetë dhe i suksesshëm për Universitetin tonë, për studentët dhe për Shkodrën.
Ftoj maturantët, kudo që ndodhen, të zgjedhin UNISHK-un për vijimin e studimeve universitare në vitin akademik 2026–2027.
Me respekt dhe mirënjohje,
Prof. Dr. Tonin Gjuraj
16 qershor 2026

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks