SPAK ka sekuestruar një apartament të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili sipas hetimeve rezulton i padeklaruar.

SPAK njofton se banesa në fjalë ndodhet në zonën e Lungomares, Vlorë dhe vlera me të cilën është blerë është  67 milionë lekë.

Ndërkohë, Beqaj, sipas SPAK nuk ka deklaruar as investimet e kryera në këtë apartament për të cilin më pas ka lidhur edhe një kontratë qiraje. Por SPAK shprehet se ndonëse ekziston kjo kontratë, e lidhur mes një miku të ngushtë të Beqajt dhe partneres së këtij të fundit, rezulton se ish-ministri sërish qëndronte në këtë apartament.

 “Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë:

Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.

Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.

Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.

Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Si pasojë, SPAK ka vendosur “sekuestro preventive” mbi apartamentin me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu