Kryeministri Edi Rama do të vizitojë të marten Thethin, një nga zonat turistike më të frekuentuara të Alpeve Shqiptare. Vizita vjen në një moment simbolik, pasi përkon me rreth një vit nga aksioni i ndërmarrë nga autoritetet shtetërore për prishjen e afro 100 ndërtimeve pa leje në këtë zonë. Aksioni i zhvilluar gjatë verës së kaluar u shoqërua me debate dhe reagime të shumta, pasi preku një numër objektesh të ndërtuara pa lejet përkatëse. Qeveria e konsideroi ndërhyrjen si pjesë të strategjisë për mbrojtjen e territorit, ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe rikthimin e hapësirave publike në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit. Sipas burimeve, institucionet përgjegjëse janë njoftuar për mbërritjen e kreut të qeverisë dhe kanë nisur përgatitjet organizative për zhvillimin e vizitës. Ndërkohë, deri më tani nuk është publikuar një axhendë zyrtare me detajet e takimeve që do të zhvillohen. Burime nga grupi punës bëjnë me dije se një nga temat kryesore të diskutimeve pritet të jetë zbatimi i Paketës së Maleve, programi i qeverisë që synon nxitjen e zhvillimit ekonomik në zonat malore përmes investimeve në turizëm, infrastrukturë dhe mbështetjes së banorëve që zgjedhin të investojnë në këto territore. Kjo nisëm ka hasur jo pak kundërshtime. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që gjatë qëndrimit në Theth, kryeministri Rama të zhvillojë takime me banorë, përfaqësues të biznesit turistik dhe investitorë lokalë, për të diskutuar mbi sezonin turistik, sfidat e zonës dhe projektet që parashikohen për zhvillimin e mëtejshëm të Alpeve Shqiptare.






